Linja Prishtinë-Beograd/ Lufthansa planifikon ta kthejë

20/01/2020 18:55

Grupi Lufthansa dhe kompania Eurowing, do të hapin një linjë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, me dokumentacionin që tashmë është nënshkruar në Berlin.

Dokumentat janë nënshkruar edhe nga delegacioni i ministrisë së ekonomisë së Serbisë, e cila do të njoftojë unik dhe KFOR për qëllimet e saj për rikthimin e linjës ajrore mes Beogradit dhe Prishtinës, por në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB dhe marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës.

Në mënyrë që plani të konkretizohet do të duhet që në të ardhmen të arrihen marrëveshje teknike të përshtatshme me KFORin në lidhje me procedurat e zakonshme për operacionet e trafikut ajror. Por, që linja ajrore Prishtinë-Beograd të nisë të funksionojë, duhet që më parë qeveria e Prishtinës të heqë taksën 100 për qind mbi mallrat serbe si edhe të fillojë zbatimin e angazhimeve dhe të rikthehet në tryezën e dialogut-thuhet në një deklaratë të Ministrisë serbe të ekonomisë.

Pavarësisht nëse do të konkretizohet apo jo, linja Beograd-Prishtinë, reagimet kanë qenë të menjëhershme pas publikimit të lajmeve. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka përshëndetur njoftimin duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajon. KFOR vazhdon të jetë autoriteti që kontrollon hapësirën ajrore në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244. Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti nënshkrimin e marrëveshjes duke thënë se ky hap shënon një tjetër përpjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më herët gjatë ditës, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se nënshkrimi këtyre letrave është hap i rëndësishëm, por ai ka shtuar se linja ajrore Beograd-Prishtinë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që mbi mallrat serbe dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës./Ardita Becolli/

Top Channel