E ftuara për “Top Talk” në ditën e sotme ishte ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Ajo shprehu hapur pakënaqësitë për Universitetin e Tiranës.

Organet drejtuese në brendësi të universitetit, sipas ministres, nuk kanë frymën e bashkëpunimit, rektori nuk bashkëpunon me bordin e administrimit sepse e shikon si një organ që i ka marrë kompetencat. Shahini e konsideron si të nevojshme përfshirjen e grave në universitete, në pozitat drejtuese, sepse në këtë mënyrë, thotë ajo, mund të ketë një formë më të mirë bashkëpunimi.

“Disa elementë janë më mirë në shumicën e universiteteve, përveç Universitetit të Tiranës i cili nuk arriti që të bëjë një kapërcim në asnjë nga problematikat që i solli në vëmendje edhe protesta e studentëve. Kjo nuk ka të bëjë as me angazhimin e studentëve as me ligjshmërinë që ekziston në dokumentet që i nxjerr Ministria e Arsimit. Ka të bëjë kryekëput me një rezistencë nga organet drejtuese në Universitetin e Tiranës, të bashkëpunojnë. Dekani, Rektori nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Bordi i administrimit shikohet nga rektori si një organ që i ka marrë kompetencat dhe nuk dëshiron që të bashkëpunojë me të. Është një luftë komplet e brendshme e disa burrave, po them burrave sepse në këtë rast janë të gjithë burra. Kjo është një nga arsyet se unë po shpresoj që do të kemi më shumë gra kandidate, sepse kam përshtypjen që aty ku kemi gra në pozita udhëheqëse edhe ndërron pak formati i bashkëpunimit”, u shpreh ministrja.

Gjatë bisedës në studio pati dhe një ndërhyrje nga gazetari Denis Dyrnjaja, i cili e pyeti drejtpërsëdrejti ministren nëse kandidatët dalin nga studentët apo nga pedagogët. Shahini u shpreh se janë dy mënyra kandidimi, në njërën anë të sugjerohen nga pedagogët apo nga ana tjetër të vetëkandidohen. Ajo shpreson që kandidatët në postin drejtues në Universitetin e Tiranës, të jenë persona me integritet të lartë akademik, të cilët mund të kenë kryer studimet edhe jashtë. Ndoshta në këtë mënyrë, thotë ajo, mund të ketë një risi në Universitetin e Tiranës.

“Nga pedagogët, apo edhe mund të vetëkandidohen. Po shpresoj që sa më shumë persona, që tashmë janë me integritet akademik, ndoshta kanë kryer edhe studimet jashtë, sjellin ndonjë risi në Universitetin e Tiranës, do kandidojnë për këto pozita drejtuese. Të japin një frymë tjetër udhëheqjes në universitet”, tha Besa Shahini.

Top Channel