Format më të përhapura që abuzohet me tenderat janë katër. I pari është procesi i rrobaqepsisë. Pra, procesi i prerjes së kushteve të tenderit sipas nevojës së atij që duhet të fitoj. Kjo do të thotë që autoriteti kontraktues, pra ministria, bashkia apo institucioni vendos kriteret që i shkojnë për shtat kompanisë së paracaktuar.

Varianti i dytë, ka të bëjë me vlerën e tenderit që është e përafërt me fondin limit. Ta shpjegojmë më thjeshtë. Nëse një institucion alokon 100 milionë lekë për një shërbim, atëherë kompania e fiton me 99.9 milionë lekë.

“Tendenca e këtij treguesi është që të çon në një lloj abuzimi që synohet që të përdoret i gjithë fondi. Ndërkohë që një nga treguesit e efikasitetit dhe të përdorimit është se sa kursehet nga ky tender nga paraja publike” tregon profesoresha Suzana Guxholli

Një mënyrë tjetër që abuzohet me tenderat është pjesëmarrja fiktive. Në tender duhet të marrin pjesë më shumë se një kompani.

“Për të siguruar pjesëmarrje të tillë që të kualifikohet si tender i vlefshëm. Një kompani që është përcaktuar se do ta fitojë me marrëveshjen e fshehë, siguron edhe një pjesëmarrës fiktiv. Ky paraqit vetëm dokumentet dhe zakonisht i paraqet me mungesa me qëllim që të s’kualifikohet. Pra futet një pjesëmarrës fiktiv vetëm që të s’kualifikohet”, tregon Panajot Soko.

Forma e katërt është ajo që njihet si oligotenderi. Tre ose katër operator tregu bien dakord me njëri tjetrin që të fitojnë tenderat me radhë. Kështu vendosin që tenderin e parë do ta marrë i pari, të dytin i dyti dhe të tretin i treti. Pra, marrin pjesë që të gjithë por i pari e fiton të tjerët marrin pjesë dhe paraqesin dokument fiktive, me mungesa, me ofertë më të lartë…. me qëllim që të fitoj i pari.

Le të marrim një shembull konkretë. Ministria e Mbrojtjes, ka hapur në shtator të vitit 2019, një tender për sigurimin e helikopterëve, me vlerë 1 milionë euro. Në tender janë ftuar kompanitë e sigurimit. Por në vend që ato të paraqisnin secila ofertën e saj duke garuar mes tyre, këto kompani janë bërë bashkë kanë krijuar një bashkim operatorësh. Gara u eliminua dhe tenderi i majmë u fitua me 98% të parave nga ky bashkim operatorësh. Ky është rasti më tipik i oligotenderit.

Top Channel