Në studion e emisionit “Top Talk”, të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishin të ftuar Aleksandër Çipa, kryetar i Komunitetit të Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, si edhe Irida Skëndaj, kryetare e Komunitetit Kombëtar të Helsinkit.

Në studio u fol për projektligjin më të ri të qëverisë të etiketuar si “Antishpifje”, e cila ka në fokus dënimin e personave që hedhin baltë dhe cënojnë jetën e individit, por edhe të  gjithave lajmeve të rreme që qarkullojnë në internet.

Dy të ftuarit në studio shprehen skeptik në lidhje me këtë draft të qeverisë, që sipas tyre censuron gazetarët, dhe i mohon atyre të drejtën e shprehjes dhe të mendimit.

Gazetari Aleksandër Çipa, thotë se është në pritje të një vendimi përfundimtar për të parë reagimin e tyre, hap ky që përkon edhe me etikën e gazetarëve profesionistë.

“Në fakt në gazetarinë profesioniste nuk mund të shprehesh pa ndodhur ngjarja, ne do të duam të shohim se çfarë do të ndodhë dhe të japim verdiktin e vlerësimit dhe reagimit tonë. Ndryshe nuk do të ishim profesionistë, por do të ishin pasionantë, dhe do ta shndërronim refuzimin në qëllim në vetvete. Ne nuk e kemi refuzimin qëllim në vetëvete, por e kemi sjellje në emër të ndërgjegjes dhe të ruajtjes në vlerave më universale që lidhen me lirinë dhe në mënyrë më të veçantë, me lirinë  e shprehjes dhe të pavarësisë të medias”, tha Çipa.

Por i ndryshëm me të ishte reagimi i kryetares së Helsinkit në Shqipëri, Irida Skëndaj, se nëse këto projektligje të propozuara do të miratohen do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo mbetet për tu diskutuar me të gjithë organizatat që ne jemi angazhuar në këtë kauzë. Si Komunitet Shqiptar i Helsinkit ne mbështesim në rastin potencial të miratimit të këtyre dy projektligjeve të propozuara dërgimin dhe kundërshtimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Jo vetëm si antikushtetuese por edhe në cënim të konventës evropiane të të drejtave së njeriut”, tha Skëndaj.

Top Channel