Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, është angazhuar për një kthim të dinjitetshëm të banorëve të Shqipërisë, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas tij, nuk ka më persona që do të vijnë për strehim në Kosovës përkundrazi ka filluar kthimi i tyre. Vetëm gjatë të dielës, kanë kthyer 80 banorë të Shqipërisë.

Haradinaj: Janë mbi 1300 persona të identifikuar që janë zhvendosur nga Shqipëri

  “Të identifikuar nga Policia e Kosovës, si të zhvendosur nga Shqipëria janë mbi 1300 persona, e shumica e tyre pra janë të vendosur nëpër familjarë në qytete të ndryshme të vendit, edhe kemi evidencën e tyre, mirëpo pjesa më e madhe është zhvendosur në kampin në Prizren, dhe ne gjimnazin “Gjon Buzuku”. Tani kemi hyrë në një etapë të re, të kthimit të zhvendosurve, sikur se keni dëgjuar nga gjimnazi “Gjon Buzuku” janë kthyer të gjithë, njëkohësisht edhe nga Parku i Inovacionit, rreth 600 sa kanë qenë dikur, tani kanë mbetur vetëm 270. 80 janë kthyer sot”

Kosova, sipas Haradinajt, duhet të ofrojë transportin për të gjithë ata që duan të kthehen, pasi ka nga ata që kanë vështirësi.

Haradinaj: Unë kam vendosur t’iu shkruaj një letër kryetarëve të komunave

  “Unë kam vendosur t’u shkruaj letër kryetarëve të komunave që çdo komunë të vë në dispozicion një numër të telefonit, Drejtorinë e Emergjencës dhe të sigurojë transport për kthim, për familjet aty ku janë të evidentuara për t’i kthyer.

Kosova ishte e para që u solidarizua me të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, duke dërguar ekipe të specializuara dhe ndihma e duke strehuar edhe një numër të madh familjesh. Por tashmë që emergjenca ka kaluar, familjet e prekura nga tërmeti që kishin zgjedhur të shkonin në Kosovës, duhet të kthehen për të zgjidhur problemet e tyre në vend.

Top Channel