Hetim kush jeton në luks pa punë/ Ligjet e reja AntiKÇK, pezullim para vettingut për të korruptuarit në drejtësi

25/11/2019 15:05

Në momentin kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë i hapi dritën jeshile ngritjes së SPAK, kryeministri Edi Rama prezantoi detaje nga projekt ligjin special kundra gjyqtarëve dhe prokurorëve të etiketuar prej tij si organizata kriminale e KÇK.

Top-Channel e disponon një kopje të këtij draft ligji qëllimi të cilit është, parandalimi, përndjekja dhe gjurmimi për të dokumentuar veprimtarinë kriminale, përfshi përdorimin e influencës mbi politikanë, masmedia, administratë publike, autoritete gjyqësore apo aktivitete ekonomike korrupsioni përfshi kërkim për përfitime apo pushtet.

Në nenin 5 të projektligjit parashikohen subjektet nën hetim përfshi rastet kur.

“Ka dyshime se standardi i jetesës nuk është i justifikuar nga burime të ligjshme por nga të ardhura të veprimtarisë së krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit”.

Ndërsa neni 6 parashikon që subjektet sipas nenit 5 që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë nuk mund tju lejohet hyrja dhe kthimi në vendbanim pa iu nënshtruar një verifikimi të hollësishëm nga policia e shtetit në pikën e kalimit të kufirit.
Në pikën 3 të nenit 6 thuhet.

“Policia e shtetit mund ti kërkojë institucioneve kopetente ndalimin e posedimit ose përdorimit pjesërisht ose plotësisht të pajisjeve të komunikimit, mjete transporti të blinduara ose të modifikuara për të rritur fuqinë e tyre e shmangur kontrollet e policisë si dhe programeve kompjuterike apo mjete të tjera që shërbejnë për kriptimin e bisedave dhe mesazheve”.

Në projektligj neni 9 sjell një masë ekstreme që lidhet me përdorimin e pasaportave.

“Policia e shtetit ndaj subjekteve të këtij ligji mund të urdhërojë tërheqjen e përkohshme të pasaportës dhe pezullimin e vlefshmërisë për çdo dokument tjetër ekuivalent.

Tërheqja e përkohshme e pasaportës dhe pezullimi i vlefshmërisë për mërgimin e çdo dokumenti tjetër ekuivalent, i komunikohet menjëherë prokurorit të rrethit ku banon personi”.

Një prej kolonave të projektligjit është hetimi pasuror.

“Hetimet do të kenë objekt edhe bashkëshortin, fëmijët dhe bashkëjetuesin e 5 viteve të fundit, si dhe ndaj të gjithë personave juridikë me të cilët pasuria e subjekteve nën hetim ka lidhje drejtpërdrejtë apo të tërthortë”.

Projektligji përmes nenit 17 I jep policisë akses pa limit tek kompanitë e telefonisë celulare.

“Për identifikimin në kohë reale të subjektit /numrit të telefonit apo lokalizimin e antenave loguese të dy komunikuesve si dhe krijimin e mundësive të identifikimit të përdoruesit fundor të internetit”.

Neni 22 parashikon hapat në konfiskimin e pasurive kriminale.

“Gjykata vendos për konfiskimin e aseteve apo pasurive të cilat administrohen, posedohen ose janë pronësi të subjekteve të këtij ligji, të cilët nuk kanë mundur dot të provojnë para gjykatës origjinën e ligjshme me të cilën kanë krijuar ose fituar asetet apo pasuritë objekt gjykimi”.

Në projektligj parashikohet se të ardhurat nga qiraja, shitja dhe likuidimi pasurive derdhen në fondin e drejtësisë. Ndërsa pasuritë e paluajtshme me një vlerë mbi 400.000 euro shiten sipas procedurave dhe të drejtën e parablerjes e kanë entitetet juridike me përbërje nga personeli i forcave të armatosura ose forcat e policisë.

Zbatimin e kësaj iniciative ligjore do ta bëjë një strukturë e posaçme brenda Drejtorisë së përgjithshme të policisë e quajtur “Drejtoria kundër krimit të organizuar” me degë në 12 drejtoritë vendore në të gjithë Shqipërinë.

Muhamed Veliu

Top Channel