Deklaratat e Metës, reagon zëdhënësja e BE: Mbështesim punën e shkëlqyer të ambasadorit Soreca në Tiranë

23/11/2019 00:38

Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç reagoi pas etiketimit që presidenti Ilir Meta i bëri disa ndërkombëtarëve si “palaço”.

Koçijançiç i quajti të papranueshme deklarata të tilla dhe theksoi se puna e ambasadorit Luigi Soreca dhe Delegacionit të BE, ka mbështetjen e plotë të Brukselit.

“Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të BE-së përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e bllokut”, tha Koçijançiç. “Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian. BE-ja, të gjithë përfaqësuesit e saj dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë që t`i çojë përpara reformat thelbësore në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”, ka qenë komenti i zëdhënëses.

Reagimi i ashpër i Metës erdhi pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Besnik Muçin, të cilin kreu i shtetit e kishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel