Balla: Prioriteti i Shqipërisë për vitin 2020, fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

22/11/2019 20:56

Deputeti Socialist, Taulant Balla nëpërmjet nhë statusi në Facebook ka shkruar se prioritet i Shqipërisë për vitin 2020 mbetet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Statusi i Ballës:

Prioriteti i Shqipërisë për vitin 2020 mbetet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kuvendi vijon normalisht diskutimin e Buxhetit 2020, i cili mbështet fuqimisht reformat e ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Buxheti 2020 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për thellimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë. Reforma në drejtësi, e cila do të vijojë të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteve të programit të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve për përmirësimin e nivelit të jetesës së tyre.

Në Buxhetin 2020 është parashikuar edhe kostoja shtesë për mbështetjen e institucioneve të krijuara në zbatim të reformës në drejtësi. Në planifikimin e investimeve publike për vitin 2020 janë mbajtur gjithashtu në konsideratë prioritetet e integrimit europian.

Në Rezolutën e miratuar 7 ditë më parë “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

Top Channel