Fermeri Ervin Resuli dhe Nikolin Jaka, drejtues i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, deklaruan në emisionin “Top Talk” në Top Channel se qeveria shqiptare është e fundit në rajon sa i përket subvencionit direkt që jep për fermerët.

Ata kundërshtuan shifrat e ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi, gjithashtu i pranishëm në studion e “Top Talk”, i cili foli për rezultate spektakolare në bujqësi dhe rritje të eksporteve.

Resuli, ndër të tjera, u shpreh: “Fermerët nuk kanë filluar sot të protestojnë, por kanë gjatë gjithë 2019-s që protestojnë për mungesën e mbështetjes nga Ministria e Bujqësisë. Fermerët shqiptarë në krahasim me fermerët e rajonit janë më pak të mbështetur. Maqedonia subvencionon direkt 100 milionë euro, ndërsa ne mbështetemi me 4 milionë euro. Vetëm kjo, që ne jemi 25 herë më pak të mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, nuk na motivon që të marrim pjesë në panair”.

Shqetësimit dhe kritikave të fermerit, ministri Çuçi u shpreh se “ne mbetemi të hapur t’i dëgjojmë dhe të dialogojmë”.

“Sa i përket pjesës së mbështetjes unë dua ta kundërshtoj sepse nuk janë 4 milionë euro, por vetëm në 2019-ën janë rreth 22 milionë euro që janë hedhur në sektorin e bujqësisë”, tha Çuçi, duke përfshirë edhe financimet që bëhen në kuadër të programit IPARD.

Nikolin Jaka vuri në dukje edhe njëherë tjetër financimet e ulëta të qeverisë për fermerët shqiptarë.

“Nuk ka nevojë të futemi në ciklin e shifrave, nga i cili nuk dalim dot. Çfarë metodologjie dhe çfarë shume përdor qeveria shqiptare për të subvencionuar dhe stimuluar fermerin shqiptar? Kemi dy vende konkurrente siç janë Maqedonia dhe Kosova që kanë subvencion të palimituar për krerë kafshësh, për litër qumësht, për hektar tokë dhe për pyje që jepen në favor të fermerëve. Sa ka bërë qeveria shqiptare për këto? Fatkeqësisht, Shqipëria është në shifrat më të ulëta të mundshme të subvencioneve direkte nga qeveria për fermerët dhe agropërpunuesit”, deklaroi Jaka.

Në fund të emisionit, Çuçi ftoi fermerët që të shkojnë në zyrën e tij dhe të diskutojnë mbi problematikat që kanë.

Më shumë mbi debatin e zhvilluar në studion e Top Talk, mund të dëgjoni në videon e bashkëngjitur lajmit.

Top Channel