Kur janë zhvilluar 13 javë në Superligën e Kosovës në futboll, ndryshime të mëdha kanë ndodhur tek skuadrat, e sidomos me trajnerët.

Sezonin e nisën Ismet Munishi, Ardian Nuhiu, Gentian Mezani, Mirel Josa, Tahir Batatina, Dejan Vukiceviq, Tahir Lushtaku, Shpëtim Idrizi, Bekim Isufi, Bekim Shotani, Artim Shaqiri dhe Xhengiz Rexhepi.
Qysh në javën e 13-të, pesë prej atyre që e filluan sezonin janë larguar nga ekipet përkatëse.
Pa dyshim që në listën e të shkarkuarve shihet gjithashtu një numër i madh i trajnerëve të ardhur nga jashtë Kosovës.
Deri më tani në Superligën e Kosovës në futboll trajnerët e ardhur nga jashtë dhe të cilët janë shkarkuar nga skuadrat e tyre janë: Mirel Josa, Dejan Vukiceviq, Xhengiz Rexhepi, Artim Shaqiri, Antonio Toma.
Ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare, Arsim Thaqi foli rreth shkarkimeve të trajnerëve të huaj, ai fillimisht u shpreh se në Kosovë nuk ka kushte të mira, të cilat i kërkojnë vet trajnerët e huaj, kështu sipas tij ata e kanë shumë të vështirë të ambientohen me futbollin në Kosovë.
“Normalisht që Kosova është ende larg, duke filluar prej infrastrukturës, mandej edhe gjëra tjerat përcjellëse të aspektit teknik, të organizimit të stërvitjeve, të organizimit të klubit edhe normal trajneri nga jashtë kërkon një kohë pak më të gjatë dhe një adaptim më të madh në nivelin e futbollit se çfarë është në Kosovë edhe normal nivelin e lojtarëve se çfarë është këtu. Mendoj se këto janë faktorët kryesor që kanë me ndikuar që edhe disa vite të ardhshme çfarëdo nivelit të trajnerit që vjen në Kosovë me siguri do ta ketë shumë të vështirë”, u shpreh fillimisht Thaqi.
Ai tutje theksoi se për klubet kosovare më pak e kushtueshme është të angazhojnë një trajner vendor, i cili ka një përvojë të madhe në futbollin kosovar dhe se sukseset me të nuk do të mungonin.
“Këta trajnerët që janë në Kosovë, që mendoj që janë shumë cilësor dhe tani kanë bërë edhe përvojë qoftë në arenën ndërkombëtare qoftë në organizimin e stërvitjes edhe në udhëheqjen e ekipeve, po foli brenda Kosovës edhe në situatën se çfarë është futbolli i Kosovës mendoj që kishte me qenë ma pak e kushtueshme, kishte me qenë më efikase që të angazhojnë trajnerë vendor të cilët e njohin pak a shumë nivelin e futbollit në Kosovës, e njohin pak a shumë nivelin e lojtarëve se çfarë janë në Kosovë edhe kjo është dëshmuar edhe këtë sezon”, tha Thaqi.
Ndërsa ish-trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli i cili javë më parë u nda nga Prishtina për shkaqe shëndetësore tha se suksesi i skuadrës nuk varet vetëm nga roli i trajnerit, mirëpo është e dukshme që në Kosovë, trajnerët si të huaj ashtu edhe vendor janë duke u munduar të bëjnë një punë sa më të mirë.
“Suksesi nuk varet vetëm prej trajnerit, por varet edhe prej të gjithë faktorëve brenda në klub, të cilët janë udhëheqësia, është presidenti, janë lojtarët, janë trajnerët. Zakonisht për mossukses përgjigjen gjithmonë trajnerët, por unë mendoj që suksesi varet prej shumë faktorëve brenda në klub dhe ato klube që kanë organizim të mirë, ato klube ku presidenti e kryen punën si duhet, ku lojtarët e kryejnë punën si duhet, ku udhëheqësia e kryen punën si duhet, ku trajneri e kryen punën si duhet domethënë të gjithë punët e veta i kryejnë si duhet atëherë kuptohet që nuk mungon rezultati”, tha fillimisht Sokoli.
Sokoli theksoi se disa prej trajnerëve të huaj në Kosovë kanë pasur shumë sukses, mirëpo tek rasti i fundit tek Feronikeli, sipas tij, problemi kryesor ishte gjuha, ku lojtarët kishin shumë problem ta kuptonin trajnerin Vukiceviq.
“Në këtë moment po mendoj që mund ti konsiderojmë si jo të suksesshëm trajnerët e tjerë, të cilët nuk kanë punuar në kampionatin e Kosovës, përpos Vukiceviqit i cili ka qenë në Drenas dhe ka bërë një punë të mirë aty dhe në kërkesë të klubit për vet kreun e tabelës, nganjëherë ngarkojnë edhe lojtarët edhe trajnerin, por jam i sigurt që aty ka munguar njohja e gjuhës, komunikimi në mes të lojtarëve dhe trajnerit dhe çdo trajner që vjen në një vend të huaj, duhet të njohësh para së gjithash gjuhën, kjo është shumë me rëndësi”, përfundoi Sokoli.
Momentalisht trajneri i vetëm i ardhur nga jashtë Kosova në Superligë është, trajneri i kampionit të Kosovës, Feronikeli, Agim Sopi.
Sopi është i lindur në Shkup, por që jeton në Suedi qe një kohë të gjatë.Kosovapress

Top Channel