Dosjet në makinën e prokurorit: “Dosja e Skerdilajd Konomit dhe dokumentat e vjedhura në Prokurori”

05/11/2019 15:09

Burime brenda Policisë së Shtetit, i thanë Top Channel se në bagazhin e makinës ku ndodhej prokurori i Durrësit së bashku me nje person me rekorde kriminale, janë gjetur disa thasë me dokumente. Ndër këto dokumenta është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë me pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi!

Të njëjtat burime thonë se pista kryesore e hetimit është pikerisht një konflikt për tokat e pretenduara nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni!

Nëse e gjithë sa u tha nga burimet për Top Channel rezulton e saktë, atëherë del në pah lidhja e supozuar mes prokurorit dhe personit me rekorde kriminale që gjendej në makinë me të, i cili figuron pjesëtar i asaj organizate.

Në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumentave nga persona të paidentifikuar të cilët kishin arritur të dëmtonin edhe serverin. Në atë kohë u dha se asnjë dokument nuk kishte humbur sepse ishte i dubluar. Dokumentat e tjera sipas burimeve lidhen me ish gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua me një bombë në vitin 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në bulevardin Vlorë-Skelë. Një nga pistat kryesore të vrasjes së Konomit, mbetet çështja e pronave që paraardhësit e 33- vjeçarit zotëronin në Hamallaj të Durrësit.

Top Channel