E përmendi në “Shiko Kush LUAN”, Arbana Osmani-Iris Luarasit: E doja lëndën më shumë se zysha

22/10/2019 16:35

Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar pasi u përmend në emisionin “Shiko Kush Luan” në Top Channel, nga pedagogia e gazetarisë, Iris Luarasi, si një prej nxënësve që ajo kishte ngelur dhe sot janë të njohur për publikun.

  Iris Luarasi tregon se cilët personazhe të njohur kanë mbetur në klase në lëndën e saj

Osmani tregon se teksa ndiqte studimet i duhej të punonte, ndaj ishte i pamundur frekuentimi i të gjitha lëndëve në universitet.

“Kisha luftuar shumë për atë vend pune dhe në atë kohë kur im at ishte i papunë dhe ne jetonim në një shtëpi të vogël me qira, puna ime ishte shumë e rëndësishme”, tregon moderatorja.

Osmani thekson se “e vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që “mikesha jonë” zgjedh të trajtojë si ngelësa njerëz që e kanë dashur lëndën e saj, ndoshta dhe më shumë se vetë zysha”.

Reagimi i plotë

Në vitin e dytë të fakultetit për mua që punoja në “Top Albania Radio”, ishte i pamundur frekuentimi i të gjitha lëndëve.  Kisha luftuar shumë për atë vend pune dhe në atë kohë kur im at ishte i papunë dhe ne jetonim në një shtëpi të vogël me qera, puna ime ishte shumë e rëndësishme. Përveç kësaj, isha duke ndjekur edhe pasionin tim, të cilin një pjesë e mirë e pedagogëve e kanë mbështetur, me përjashtime shumë të rralla, siç ishte rasti i Zysh Irisit. Unë e dija që do të më mbeste në klasë ende pa filluar mësimi, pasi kisha dëgjuar sa strikte ishte, por atë vit zgjedhja për mua ishte puna.

E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që “mikesha jonë” zgjedh të trajtojë si ngelësa njerëz që e kanë dashur lëndën e saj, ndoshta dhe më shumë se vetë zysha, por për arsye frekuentimi nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në çdo leksion. Nga e gjithë kjo përvojë gjithsesi sot kam mësuar një leksion edhe më të rëndësishëm. Nuk të bën as ngelës e as dështak, e as të paaftë nota e një mësueseje. Përkundrazi, edhe pse jam e bindur që zysh Irisi nuk ka pasur asnjë qëllim të keq të dëmtojë reputacionin tim apo të kolegëve të mi, iu ka dëshmuar të gjithë të rinjve që na ndjekin që edhe “ngelës” mund t’ja dalësh!

Top Channel