Vitrina e Librit/ ‘Stambolli’ i Celebiut vjen në gjuhën shqipe

21/10/2019 10:55

Sejahatname (Libri i udhëtimeve)

Evliya Çelebiu, emri i vërtetë i të cilit është Dervish Mehmed Zilli ishte funksionar, udhëtar, intelektual dhe shkrimtar osman, i cili jetoi në shek. XVII.
Ai mendohet të ketë lindur në vitin 1611 në qytetin e Stambollit dhe ka vdekur në vitin 1684.

Për një periudhë rreth dyzet vjeçare ai ka shëtitur thuajse të gjithë hapësirën e Perandorisë Osmane por edhe shtete të tjera të Europës duke na përçuar informacione të rëndësishme mbi jetën sociale, shoqërinë, kulturën, historinë dhe fenë e shumë vendeve nëpër të cilat kishte udhëtuar. Libri i tij ‘Sejahatname’, ka qenë dhe ekspozimi i javës në Vitrinën e Librit. Studiuesi Edi Caka i cili është dhe përkthyesi i librit, thekson se është habitur me Çelebiun dhe diapazonin e tij të gjerë intelektual po të kemi parasysh se në Sejahatname sipas tij, ai flet për çështje të cilat u përkasin fushave dhe shkencave të ndryshme. Jo më kot, emri dhe vepra e tij u vlerësuan nga UNESCO duke e shpallur vitin 2011, si vitin e Evliya Çelebiut.

Vepra e tij, Sejahatnameja na del përpara si një vepër me rëndësi të veçantë nisur nga fakti se ajo na paraqet një panoramë ekonomike, administrative, kulturore e historike të një pjese të konsiderueshme të hapësirës territoriale të Perandorisë Osmane të shek. XVII. Në vetvete, kjo vepër është një shembull dhe burim i dorës së parë për të kuptuar historinë kulturore e shoqërore të zonave e rajoneve në veçanti e atë të gjithë Perandorisë Osmane në përgjithësi.

Rëndësinë e kësaj vepre e tregon më së miri numri i madh i ribotimeve të saj, i përkthimeve në shumë gjuhë të ndryshme dhe i një numri të madh artikujsh, shkrimesh, monografish të karakterit akademik që janë shkruar mbi këtë punim.

Libri i Udhëtimeve përbëhet prej dhjetë vëllimesh dhe fillon me përshkrimin e qytetit të Stambollit e më pas ka vijuar me vendet e shëtitura prej Evliya Çelebiut që janë përfshirë në nëntë vëllimet e tjera. Vendet që ai ka shëtitur sipas vëllimeve me radhë janë: 1. Stambolli dhe rrethinat; 2. Anadolli, Kaukazi, Kreta dhe Azerbajxhani; 3. Siria, Palestina, Armenia dhe Rumelia; 4. Veriu i Anadollit, Iraku dhe Irani; 5. Rusia dhe Ballkani; 6. Hungaria, Bosnja dhe vendet përreth; 7. Austria, Krimeja dhe sërish Kaukazi; 8. Krimeja dhe vende të ndryshme të Rumelisë; 9. Haxhi drejt Mekës; 10. Egjipti dhe Sudani. Për lexuesin shqiptar, shton E. Caka, kjo vepër nuk është e panjohur. Më herët është botuar një përkthim i disa pjesëve të Sejahatnamesë, që flasin për hapësirën shqiptare, nga Sali Vuçiterni me titullin “Shqipëria para tre shekujsh”.

Gjithashtu, edhe albanologu Robert Elsie bashkë me Robert Dankoff, në vitin 1999 kanë botuar në gjuhën angleze vëllimin Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid), vepër në të cilën janë përmbledhur pasazhe nga vëllimet V, VI, VIII. Por, na duhet të theksojmë se të dhënat për shqiptarët dhe hapësirën shqiptare i gjen pothuajse në të dhjetë vëllimet e kësaj vepre të rëndësishme.

Vetë Çelebiu mendohet se i ka vizituar hapësirat shqiptare gjatë viteve 1660, 1662 dhe 1670 duke na lënë pas të dhëna me shumë rëndësi për gjuhën, dialektet, zakonet, kulturën, qytetet, kalatë, arkitekturën, fenë, ushqimet, rrugët, panairet, vendet e çlodhjes e shumë elemente të tjera të historisë sociale. Parë nga ky aspekt, të dhënat që nxjerrim nga ‘Sejahatnameja’ na shërbejnë për të kuptuar më mirë gjeografinë e shqiptarëve gjatë shek. XVII-të, elemente të përditshmërisë dhe jetesës së tyre. Të dhënat që ai na jep për Gjirokastrën, Vlorën, Beratin, Elbasanin, Shkodrën, Ulqinin etj., na shërbejnë si burime të rëndësishme për historinë e qyteteve shqiptare por edhe për të kuptuar gjendjen e hapësirave shqiptare gjatë sundimit osman.

Evliya Çelebiu na flet për profesionet me të cilat merreshin dhe shquheshin shqiptarët që jetonin në Stamboll. Duke filluar që nga përgatitja e pijeve dhe e gjellëve si bozë, salep, hardalli, prodhimin dhe tregtinë e djathit, përgatitjen e mëlçive etj., por edhe tek profesione të tjera siç është ai i shtrimit të kalldrëmit apo dhe zhytja në thellësi të detit për të nxjerrë baltë, e cila shërbente për poçeri dhe për prodhimin e tjegullave. Këto dhe shumë të dhëna të tjera që gjenden në mesin e fletëve të Sejahatnamesë jo vetëm që na japin informacione të rëndësishme mbi qytetin e magjishëm të Stambollit, qendër e botës për më shumë se njëmijë vite por, gjithashtu na tregojnë edhe kontributin e madh që shqiptarët dhanë në këtë qytet madhështor.

 

Detaje të librit

Fletët 518
ISBN 9789928251688
Redaktori Rexhep Hida
Vendodhja e botimit Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha e leximit mbi 18 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Përkthyesi Eduart Caka

 

Top Channel