“Koncesionet në ligj antimafia”, PD paralajmëron se ç’do të bëjë kur të vijë në pushtet

13/09/2019 11:28

Një ditë pas miratimit në Parlament të koncesionit Milot-Balldre, demokratët analizuan kostot e kësaj rrugë, të cilat sipas Jorida Tabakut, janë faturë e shtuar edhe në kurriz të qytetarëve.

“Shqiptarët që sot jetojnë në shtetin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor do të paguajnë 296 mln euro për një rrugë që si fillim u projektua me vlerën 113 mln euro; pastaj sa më shumë kalonte koha ajo rritej me nga 50 mln euro”, thotë Tabaku.

Për herë të parë një kontratë do të paguhet në euro, sqaroi zyrtarja demokrate, duke rritur rrezikun edhe për buxhetin e shtetit.

“Ç’do shqiptar duhet ta ketë të qartë se vota e deputetëve që janë marionetat e oligarkëve do të kushtojnë në total 370 mln euro duke ndikuar në rritjen e borxhit publik me 2,8%.  Këto kontrata të dhëna me vlera të fryra, me ofertë të pakërkuar, pa tender dhe pa garë, pa vlerë fikse, pa studim teknik, me kompani që qartësisht nuk i kanë kapacitetet do paguhen mga buxheri shtetit për 10 deri ne 15 vitet e ardhshme”, thotë ish-deputetja e PD-së.

Tabaku  paralajmëroi  se kontrata për rrugën Milot-Balldre ashtu sikurse ajo e rrugës Orikum-Dukat do i nënshtrohet ligjit  antimafia.

Elda Menga

Top Channel