Kur dramaturgu i mirënjohur anglez, fitues i Academy Award, Martin McDonagh shkroi dramën “Xhelatët” kishte ndërmend të sillte ngjarjet e Anglisë së viteve ‘60.

Në qendër të veprës është dëshira e një xhelati për të arritur famën dhe thyerjen e rekordit paraprak, që ka vendosur rivali i tij, duke torturuar dhe varur të dënuarit me vdekje. Për regjisorin Qëndrim Rijani, McDonagh është një ndër autorët më të preferuar për të vënë në skenë. Dhe kësaj here ai zgjodhi “Xhelatët” për ta shndërruar në premierën absolute të celjes së këtij sezoni në Teatrin Kombëtar.

Sipas regjisorit synimi është të ngrejë një pikëpyetje për të kaluarën tonë, por sidomos për të tashmen, akoma të dhimshme, të mbushur shpesh me dhunë dhe marrje jete.

Produksioni kësaj here është i madh. Me plot 14 aktorë në skenë; mes tyre Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Donald Shehu, Florian Agalliu, Hervin Culi e të tjerë.

Një kombinim mes regjisë së Rijanit dhe autorësisë së McDonaugh pritet me kuriozitet të materializohet në premierën e tetorit. Aq më tepër që emri i dramaturdut është edhe më i njohur për publikun shqiptar pas dy çmimeve Golden Globe për filmin e tij “Three Billboards Outside Ebbing, Misuri”.

Jetona Koçibelli

Top Channel