Shqipëria mposhti me rezultatin 4-2 Islandën duke marrë 3 pikë të çmuara të cilat mbajnë gjallë shpresën për Euro 2020.

Pas ndeshjes kanë folur edhe heronjtë kuqezi, të cilët me lojën e tyrë bënë që të harrohet disfata me Francën.

Roshi ishte nga më të kritikuarit në Francë, për shkak të gabimeve në dy golat e parë, por sot ai u rikthye edhe njëherë protagonist, duke shënuar golin e tretë për kuqezinjtë dhe duke nxjerrë skuadrën nga një moment i vështirë.

Shënuat dhe kërkuat që të tjerët të heshtnin. Për kë ishte ky mesazh?

Në fakt goli ishte një çlirim për mua dhe për skuadrën, ndërsa mesazhi ishte për të gjithë ata që nuk marrin vesh nga futbolli dhe vetëm kritikojnë. Nuk kam gjë me specialistët, që kanë luajtur vetë futboll dhe i mirëpres kritikat e tyre, por jo të njerëzve që nuk kanë lidhje me këtë sport.

E prisje nisjen nga stoli?

Po e prisja në fakt dhe isha i përgatitur që të jepja më të mirën nëse do të më jepej rasti. Pas asaj që ndodhi në Francë ishte e drejtë që të nisesh nga stoli. Më vjen mirë që mu dha rasti dhe që arrita të shpërblej në mënyrë në më mirë besimin.

Sokol Cikalleshi gjeti sërish golin me kuqezinjtë, këtë herë për të vulosur suksesin ndaj Islandës, ndërsa në intervistën u shpreh se ka agjëruar mjaftueshëm duke mos u penguar më nga shtyllat.

Keni shënuar 3 gola në 3 ndeshjet e fundit. Mesa duket nuk po të pengojnë më shtyllat?

Agjërova mjaftueshëm. Tani më vjen mirë që po arrij të luaj dhe të shënoj, pasi për ne sulmuesit kjo është shumë e rëndësishme.

Mbrojtësi i Kombëtares, Kastriot Dermaku, u shpreh i kënaqur për golin me Shqipërinë dhe këto pikë janë një siguri për të vazhduar luftën.

Duket sikur në momente të caktuara bini në panik?

Panik jo ,por ishim pak euforikë në momente të caktuara dhe humbnim përqendrimin, gjë që duhet ta korrigjojmë, pasi mund të na penalizojë. Ishte një ëndërr për mua, jo vetëm që shënova, por edhe që fituam, ndaj isha shumë i gëzuar.

Kapiteni Elseid Hysaj shënoi golin e tij të parë me Kombëtaren, falë një aksioni mjaft të bukur, ndërsa në përfundim të ndeshjes nuk i fshehu emocionet si për topin e çuar në rrjetë, ashtu edhe për fitoren e kuqezinjve.

Shënuan golin e parë me kombëtaren, si ndiheni?

Akoma nuk po e besoj që kam shënuar dhe isha shumë i gëzuar në ato momente. Jam i lumtur për golin, por edhe mbi të gjitha për fitoren.
Zëvendësimin e kërkuat vetë?

Po, sepse kisha një dëmtim në pulpë dhe nuk po arrija të jepja më të mirën time, ndaj nuk doja të penalizoj skuadrën.

Top Channel