Nga Jetona Koçibelli

Quentin Tarantino kishte premtuar që ishte duke prodhuar filmin e tij më të mirë “Once Upon a Time in Hollywood”.

I gjithë filmi i tij ishte një homazh i verës së vitit 1969.

Filmi tregon historinë e aktorit Rick Dalton (DiCaprio), një yll në rënie në industrinë e kinemasë dhe veteran i  TV Westerns. E vetmja gjë që e mban ende dhe e shpëton të mos prekë fundin është miqësia e tij me mikun dhe dublantin e kahershëm Cliff Booth (Pitt).

“Na ishte njëherë në Hollywood” ka shumë mesazhe që ndërthuren herë me dramaticitetin e një epoke në perëndim e sipër, e herë me të qeshura në lot nëpër teatrot kur shfaqet fytyra e Leonardo DiCaprio-s duke u përlotur pothuajse nga fillimi në fund. Një gjë është e sigurt. Loja aktoriale ishte shumë lart. Pitt, DiCaprio dhe Robie janë pothuajse në kufijtë e perfeksionit.

Tarantino është eklektik. Në “Once Upon a Time in Hollywood “, ai jo vetëm që bën film brenda filmit, por edhe analizon zhanre të ndryshme të kinemasë.

Gjithmonë, Tarantino ka qenë një regjisor autoreferencial.

Një pjesë e rëndësishme tjetër e tij është fakti që Tarantino është mjeshtër i faktit historik. Megjithëse ka kritika qe ai nuk i është besnik ngjarjeve të verës ‘69, pak rëndësi ka. Ai hyn në grupin e regjisorëve që mendojnë se kinemaja e bën historinë. Nuk ka pse një film fiction të jetë besnik i faktit.

“The Hollywood Reporter” ishte i pari që i mëshoi asaj që vetë regjisori tha për filmin e tij; nga fillimi në fund nje letër dashurie e Tarantinos për LA.

Kjo është historia e tij më personale e mundshme. Nëse Quaron i kushtoi filmin “Roma” Mexico City-t të vitit 1970, Tarantino kishte L.A. në vitin 1969. Ky ishte formimi i fortë i tij. Ishte bota e tij kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Ishte letra e tij e dashurisë atëhere dhe tani.

Dhe mbase vazhdon të jete letra e dashurisë e tre burrave (Tarantino, Pitt, DiCaprio) qe kanë qenë në majë të industrisë së Hollywood-it për çerek shekulli. Asnjë film tjetër nuk ka gjasë të jetë kaq shënjues për jetën e të treve.

Tarantino është përballur me kritika për mënyrën si e trajton figurën e gruas në këtë film. Aq sa është komentuar edhe si një kundërpërgjigje e tij ndaj lëvizjes “Me Too” .

Box Office regjistron 180.5 milionë $. Dyfishin e buxhetit të filmit.

Ne 160 minuta mund të përcillet nje “përrallë” e shkuar. Me shumë humor. Me shumë miqësi dhe notë pozitive.

Pas premirës në Festivalin e Kanës së këtij viti “Once Upon a Time in Hollywood”  është i aksesueshëm për të gjithë botën në kinema. Në Kinemanë Imperial u futa me kuriozitetin e një filmi që e pret me padurim! Sepse është Quentin Tarantino. Regjisori që filmin e ka idenë e tij, eksperiencën e tij, dhe njeriu që i ka dhënë kinemasë dozën e karaktereve klasike.

Top Channel