Bllokimi i fondeve për Shkodrën, Spahia-Ramës: Si ish-kryebashkiak e di që po u heq shërbimet qytetarëve

20/08/2019 21:33

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia deklaron se me bllokimin e fondeve për bashkinë e Shkodrës janë qytetarët që dëmtohen. Fondet e Shkodrës janë bllokuar për shkak se Drejtoria e Thesarit thotë se Voltana Ademit i ka përfunduar mandati si kryebashkiake.

  Qeveria bllokon fondet e Shkodrës/ Thesari: Voltana Ademit i ka mbaruar mandati në 20 gusht, ora 16:30

Përfaqësuesi demokrat akuzon kryeministrin për këtë bllokim dhe thekson se nga funksioni që ka patur si kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama e di që nuk po bllokon vetëm kryebashkiaken Ademi, por po heq edhe shërbimet për qytetarët e Shkodrës.

Reagimi i Spahisë

MOS E PROVOKO SHKODRËN EDI RAMA!

Nuk priti as 24 orë, pa e nxjerrë në pah mllefin politik, që ende nuk e ka kapur Shkodrën si bashkitë e tjera, natyrisht për shkak se përzgjedh kriminelë për të përfaqësuar qeverisjen e vet.

Me urdhër politik e pa një referencë ligjore, Ministria e Financave bllokon përmes degës së thesarit procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet e bashkisë Shkodrës. 11 vjet në krye të bashkisë Tiranë, Edi Rama e ka të qartë se nuk po bllokon Voltana Ademin, por veç u heq shërbimet qytetarëve të bashkisë Shkodër. Mllefi që e katandisën me 5% pjesëmarrje është aq i madh sa të sakrifikojë edhe qytetarët e 5%-it që i votuan kandidatin e inkriminuar. Socialistët e Shkodrës po e kanë të qartë që për Ramën janë thjesht numra në funksion të karriges së tij, e jo banorë të një qyteti që kryeministri ilegjitim u mburr se ka prioritet. A do pranojë 5%-shi të hajë bar për partinë? E sigurt është se 85% e shkodranëve nuk do e pranojnë! Prandaj Edi Rama lëri provokimet! Shërbimet ndaj qytetarëve janë një detyrim kushtetues, e për to paguajnë taksa, jo të ardhurat e Surrelit që i menaxhon si të duash!

#Turp

Top Channel