Nga Milan Kundera

Milan Kundera lindi në 1929, në Çekosllovaki. Ai mërgoi në Francë në vitin 1975 dhe më 1981 u bë qytetar francez i natyralizuar. Ka shkruar në çekisht dhe në frëngjisht. Përkthimet e librave të tij në frëngjisht i ka korrigjuar gjithmonë vetë, ndaj dhe për këtë arsye ato nuk konsiderohen përkthime, por vepra origjinale. Për shkak të censurës komuniste në vendlindje, librat e tij u ndaluan. Ai është bërë shumë i njohur me romanet si, Shakaja, Përjetësia, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies, etj.
Pikërisht për këtë të fundit, sot në Vitrinën e Librit do të flasim me përkthyesen e tij, znj. Saverina Pasho. Ky është një roman për dashurinë e panjohur, atë që lind nga gjashtë koincidenca të cuditshme. Në të vërtetë në jetën e një burri ka me miliona femra me të cilat ai do donte të bënte dashuri, por vetëm një është ajo, me të cilën do donte të flinte përgjithmonë. Si është të përkthesh një roman dashurie? Një roman, madje edhe një roman nga një shkrimtar i tillë si Kundera, duhet të gjykohet në aspektin e artit dhe jo të peshës së tij morale, sociale ose politike… Ajo që më ngjan e mrekullueshme, shprehet përkthyesja e tij, është se një vepër kaq e lidhur me kohën e vet, nuk është vjetëruar dhe tingëllon po aq aktual edhe sot. Bota, dhe sidomos ajo pjesë e botes që e kemi quajtur, me një çlirëti të pahonepsshme, Europa Lindore, ka ndryshuar thellësisht që nga viti 1984, por romani i Kunderës duket po aq i rëndësishëm tani, sa edhe kur u botua së pari. Sidoqoftë, rëndësia e tij nuk është asgjë në krahasim me atë ndjenjë të jetës së përjetuar, që shkrimtarët e vërtetë të përcjellin. Dhe lehtësia, në art, më shpesh të ngjan si butësi. Ky është një roman jo thjesht një histori për tu treguar por mbi të gjitha një hapësirë ku të bën të mendosh dhe të përplasesh me idetë e tua? A ka qenë kështu në të vërtetë ky përceptim? Romani i Kunderës na tregon se si në jetë gjithçka që zgjedhim dhe vlerësojmë si të lehtë, nuk vonon të zbulojë peshën e vet të padurueshme. Ndoshta vetëm gjallëria dhe forca e inteligjencës i shpëtojnë këtij dënimi: cilësi me të cilat shkruhet ky roman, që i përkasin një tjetër universi nga ai i jetës, thotë më tej Pasho.
Cila është tematika në roman?
Një grua e re, Tereza, dashurohet me një kirurg të suksesshëm, Tomasin, një burrë i ndarë midis dashurisë së tij për të dhe dashurisë për gratë e tradhtive të tij të pakorrigjueshme. Dashnorja e kirurgut, Sabina, një artiste me shpirt të lirë, e jeton jetën e saj si një varg tradhtish – ndërsa i dashuri tjetër i saj, Franci, i sinqertë, besnik dhe i mirë, është duke humbur gjithçka për shkak të cilësive të tij fisnike. Pastaj një person tjetër hyn në skenë: autori. Fytyra e tij është në hije, në qendër të katërkëndëshit të dashurisë, formuar nga protagonistët e romanit: dhe këto katër elementë vazhdimisht i ndryshojnë qëndrimet ndaj tij, largohen e qasen rastësisht por dhe për shkak të ngjarjeve e persekutimeve të historisë. Per Milan Kundera romani nuk heton realitetin, porqenien. Lehtësia e padurueshme e qenies është një hulumtim me stil, i cili na çon drejt e te vetja, tek të tjerët, te jeta e dhunshme, te drama e shpresave delikate. Një arritje e madhe e njërit nga shkrimtarët më të shquar të kohës, romanca madhështore e pasioneve dhe politikës, pabesisë dhe ideve. Milan Kundera përfshin ekstreme të komedisë dhe tragjedisë, duke ndriçuartë gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore.

Për më shumë mbi autorin
Milan Kundera ka lindur më 1 prill të 1929 në Brno, Çeki. Është shkrimtari më i njohur i Çekisë dhe një nga shkrimtarët më të mirë të kohës. Me origjinë çeke, ai jeton që prej vitit 1975 në Francë dhe në vitin 1981 u bë një francez i naturalizuar. Ai e konsideron veten francez dhe këmbëngul që puna e tij të njihet e të studiohet si literaturë franceze.
Njihet si autor i shumë veprave, përmendim: Shakaja, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies. Librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni Velvet në vitin 1989.
Skeda e librit
Autori: Milan Kundera
Përktheu: Saverina Pasho
304 f., 1250 lekë

Top Channel