Parku “Rinia” në qendër të Tiranës po transformohet në një mjedis më të gjelbër, më argëtues për fëmijët e më të këndshëm për qytetarët. Pas suksesit në transformimin e Parkut të Liqenit Artificial, i cili sot është hapësira më e frekuentuar nga qytetarët e Tiranës, edhe Parku Rinia pritet që të ketë të njëjtin ndryshim dhe përkujdesje.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve, të cilat sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë numrin e vizitorëve.  “Sa herë plas historia e ‘skandal, skandal, skandal’, në portalet e gjumit, është muzikë për veshët e mi sepse them: Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë është edhe krijimi i hapësirave të dedikuara në park për ata që dëshirojnë të luajnë me katërputroshët e tyre, por në të njëjtën kohë edhe duke ofruar siguri për të gjithë ata që vizitojnë Parkun Rinia. Ndaj, projekti për rikualifikimin e parkut parashikon edhe një zonë të rrethuar.

Investimi i Bashkisë së Tiranës tek Parku Rinia parashikon krijimin e disa minishesheve, sheshe për fëmijë, labirinthe, park lojërash, lojëra për të moshuar si shah, domino etj. Është parashikuar ndërtimi i një baseni ujor, që kulmon nga Monumenti i Pavarësisë dhe përfundon në pjesën fundore të parkut, ndërsa rrugicat do të shtrohen me gurë dekorativë. Gjithashtu, është parashikuar vendosja e ndriçimit LED dhe rrjeti i linjave rezervë për internet dhe telefoni, sistemin e vaditjes dhe të drenazhimit, e të zgarave për parkimin e biçikletave.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel