Rreth një muaj përpara fillimit të kampionatit, Liga e Futbollit Shqiptar nuk do të arrijë të fillojë sezonin me funksionin e saj maksimal.

Presidenti i saj, Edvin Libohova, në një intervistë për Top Channel tregon vështirësitë e fillimit të këtij institucioni të ri dhe se çfarë hapash janë marrë deri më tani.

“I kemi kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit pjesëmarrje në disa komisione kryesore si ajo për caktimin e gjyqtarëve në komisionin e disiplinës dhe në komisionin e vlerësimit”, tha Edvin Libohova, president i Ligës së Futbollit Shqiptar.

Ndërkohë që klubet shqiptare mbyllën një sezon me shumë vështirësi financiare dhe përveç kësaj, 4 prej ekipeve të Superiores duhet të plotësojnë kriteret e licensimit për të marrë pjesë në Superligën e vitit të ardhshëm.

Kriteri financiar mbetet “thembra e Akilit” për klubet ku katër prej tyre, Tirana, Luftëtari, Vllaznia dhe Flamurtari pritet t’i zgjidhin brenda datës 31 korrik.

“Ky është një biznes ku ka kritere dhe gjithkush duhet ta shoh sportin si argëtim dhe jo detyrim për të shkrirë bizneset e veta e të investojë në futboll. Ka president që kanë marrë kredira nëpër banka e janë futur ne borxhe për këtë arsye. Kështu që këto kritere rigoroze për licensimin e klubeve i ndihmojnë edhe vetë këta biznesmenë”, tregon Edvin Libohova, president i Ligës së Futbollit Shqiptar.

Data 20 qershor duhet të ishte fati i fundit për përmbushjen e premtimit 100 ditorë që kryeministri Rama dha në mbledhjen e fundit me klubet e Superligës shqiptare, për paketën e re fiskale. Libohova tregon se tashmë gjtihçka ka mbetur në dyert e Ministrisë së Financave.

“Fatura e paketës së re fiskale që i kemi çuar Ministrisë së Financave është rreth 34 milionë euro në vit për të gjitha sportet jo vetëm për futbollin. Ky është një moment revolucioni në sport që do ti beje shume mire”, sqaron Edvin Libohova, president i Ligës së Futbollit Shqiptar.

Top Channel