Si ndahen votat e së dielës; Kandidatët e PS, Bindjes Demokratike, të pavarurit dhe të pavlefshme

01/07/2019 19:57

Pas numërimit të pjesës më të madhe të votave në rang vendi dhe publikimit të rezultateve paraprake, Aleanca për Shqipërinë Europiane, e kryesuar nga Partia Socialiste, pritet të marrë kontrollin e 60 bashkive nga 61 bashki që ka vendi. Finiqi është e vetmja bashki që nuk është fituar nga ky koalicion, por nga partia e mbështetur nga minoriteti grek, Mega.

Në 5043 kuti të numëruara nga 5402 që janë gjithsej, Aleanca për Shqipërinë Europiane ka marrë 768 743 vota, Bindja Demokratike e Astrit Patozit 26 517, kandidatët e pavarur të gjithë së bashku kanë marrë 5915 vota. Partia Mega ka siguruar 3291 vota, kurse Partia Komuniste ka marrë 73 vota, për të vazhduar më tej me disa subjekte zgjedhore që përsëri kanë marrë shifra modeste.

Për t’u nënvizuar është fakti se në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mungon rezultati i votave të pavlefshme, e cila do të jepte një panoramë më të qartë për strukturën e votave në rang vendi, në kushtet e mungesës në zgjedhje të koalicionit opozitar.

Mbeten për t’u numëruar disa kuti votimi në bashkitë kryesore të vendit, si Tirana apo Elbasani.

Top Channel