Paralajmëron Avramopulos, kujdes me azilkërkimin që po njeh rritje

18/06/2019 01:48
Frans Timmermans & Dimitris Avramopoulos

Komisioneri europian për emigracionin Dimitris Avramopulos ka dalë me një paralajmërim të hapur: nëse shtohen hyrjet legale për azil, BE-ja do të marrë hapa.

Dhe në mesin e vendeve të cilave u drejtohej më së pari mesazhi i tij, e që e kanë pasur shumë të theksuar tendencën e emigracionit, është dhe Shqipëria.

Në katër muajt e parë të vitit, numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve nga vendi ynë në BE u rrit me 30 përqind, në 7,138. Avramopulos u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.

Nëse ato nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, blloku mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta, deklaroi ai.

Në mënyrë të veçantë për shkak të hyrjes pa viza, numri i azilkërkuesve në BE nga mesi i janarit deri në fund të prillit, është rritur me 15 përqind, krahasuar me një vit më parë.

Komisari për emigracionin iu referua shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE.

Numrin më të madh të hyrjeve pa viza rezulton të kenë azilkërkuesit nga Venezueladhe Kolumbia, e Shqiperia renditet e treta pas tyre.

Top Channel