Ne mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian po qarkullon një dokument jozyrtar, në të cilin kërkohet konfirmimi me shkrim që zgjerimi në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë një alternativë e besueshme.

Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë e ka parë këtë dokument ku ndër të tjera nënvizohet se BE-ja duhet të përmbushë angazhimin për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor dhe se nuk ekziston një “Plan B” për këtë.

Para së gjithash, përmes këtij dokumenti, kërkohet që të konfirmohet hapja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor të këtij viti. Ky vendim, sipas mendimit të anëtarëve të BE-së që e mbështesin këtë letër, do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm motivues për të gjithë rajonin.

Dokumenti i ashtuquajtur “non-paper” është një dokument joformal që zakonisht diskutohet në bisedimet e brendshme në institucionet e BE-së, dhe ka për qëllim arritjen e një pajtimi për një çështje të diskutueshme politike.iniciativën për këtë letër e ka nisur Polonia, ndërsa mbështetjen për të e kanë konfirmuar 13 anëtarë të bllokut, kryesisht nga Europa Qendrore dhe Lindore, ku bëjnë pjesë vende që i përkasin grupit të “anëtarëve më të rinj” të BE-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se po punohet për të fituar mbështetje sa më të madhe për këtë dokument para takimit ministror që do të mbahet më 18 qershor. Nismëtarja e dokumentit, Polonia, synon që ky ai të miratohet në formën e një deklarate të përbashkët të ministrave të BE-së.

Top Channel