150 oficerë do te sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor në të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i tyre është shmangia e incidenteve, dhunës fizike e verbale, lëndëve narkotike dhe bullizmit. Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet me 1500 nxënës gjithsej, oficeri i sigurisë është vendosur që vitin e shkuar e deri më sot.

Oficeren e sigurisë së gjimnazit e gjejmë në oborrin e shkollës, veshur civil, pasi oficeri i sigurisë presupozohet të mos jetë hijerëndë si oficeri i policisë.

“Po ka oficer sigurie në shkollën tonë që nga viti i kaluar dhe shkolla ka një mbarëvajtje që ndihet” thotë një maturante.

Ne Komisionin për Sigurinë Kombëtare pati seance dëgjimore me përfaqesues të tre ministrive, Arsimit, Shëndetësisë dhe të Brendshme, lidhur me masat e marra deri me tani per zbatimin e programit per vendosjen e oficereve te sigurise ne shkollat e mesme te vendit.

“Kjo seancë dëgjimore ka marrë shkas edhe nga një ngjarje e ndodhur në Berat. Ku një vajzë e vogël u detyruar, për shkak të presionit nga një bashkëmoshatar, t’i japë fund jetës.” tha Ermonela Felaj.

“Ky projekt e pati gjenezën e vet në tetor 2017. Ajo çfarë na duhej ishte pjesa parandaluese,. Parandalimi i hershëm, ku ky oficer merrte shenjat e para”, tha Romina Kuko zv/ministre e brendshme.

“Aktualisht janë 83 oficerë sigurie në detyrën. 46 të tjerë kanë përfunduar periudhën e trajnimit, e në javët në vijim pritet që edhe ata të atribuohen në shkollat përkatëse”, tha Lorena Haxhiu, zv.ministre e Arsimit.

80 konflikte janë shmangur deri më tani nëpër shkollat e mesme të vendit, kjo sipas një raporti të OSBE, dhe në këtë kontribut të madh kanë rojet e sigurisë.

Top Channel