Të gjitha vendvotimet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë hapur me kohë dhe pa ndonjë parregullsi.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se situata është e qetë dhe janë duke u kujdesur që procesi zgjedhor të shkojë në rregull.

Deri në mesditë numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën për votim është 9.361 apo 16.14 për qind e individëve me drejtë vote. Numri më i madhi votuesve deri tani ka qenë në Komunën e Leposaviçit, pasur nga Zveçani, Mitrovica e Veriut e Zubin Potoku.

Banorët serbë thonë se duan vetëm paqe dhe problemet të zgjidhen një herë e mirë.

“Nuk e di çfarë t’ju them, ata e dinë vetë se çfarë të bëjnë ama ne dëshirojmë që të kemi paqe, të shoqërohemi, mos të kemi problem. Më mirë të bisedojmë 10 vjet se të luftojmë një ditë”, thonë banorët.

Katër kryetarët e komunave veriore patën dhënë dorëheqje në nëntorin e vitit të kaluar si pasojë e vendosjes së masës mbrojtëse 100%.

Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, njëherësh kandidat për zgjedhje, Goran Rakiq nuk e ka hedhur poshtë mundësin që sërish të jap dorëheqje: “Pas përfundimit të zgjedhjeve do të shohim si do të jënë rezultatet, ndërsa vendimet se si do të vazhdojmë do t’i marrim me Aleksandër Vuqiqin. Ne shpresuam në mirëkuptimin të zyrtarëve të Prishtinës e veçanërisht nga Bashkësia Ndërkombëtare në heqjen e taksës dhe shpresojë që pas këtyre zgjedhjeve taksa të hiqet”.

I pyetur nëse do të vijë shefi i të ashtëquajturës zyrë për Prishtinë në Serbi, Marko Gjuriq, Rakiq ka thënë se kanë qenë në pritje të tij por nuk i është lejuar hyrja në Kosovë.

Të angazhuar për mbikëqyrjen e zgjedhjeve janë 464 vëzhgues nga 2 subjekte politike, 12 ambasada, 2 misione ndërkombëtare, 4 organizata joqeveritare dhe 15 media.

Top Channel