Top Talk/ Pse po refuzohet oferta e mazhorancës për Reformën Zgjedhore? Ja si përgjigjet Salianji

06/05/2019 17:02

Ervin Salianji shpjegoi në Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja arsyen pse opozita po e refuzon ofertën e mazhorancës për t’u ulur e për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore.

“Nuk kemi dalë në rrugë se mungojnë instrumentat ligjorë nga sistemi. Të shkruara në letër janë, por nuk është vullneti për t’i zbatuar. Ky është teatër ku ata bëjnë sikur ftojnë, ndërkohë që ne ishim aty dhe ne i treguam ligjin, dosjet me emra konkretë dhe përgjimet e dala nga vetë prokuroria për shkak të një hetimi ndërkombëtar. Ne nuk do t’i gënjejmë shqiptarët dhe të bëjmë sikur ulemi, të bëjmë sikur japim zgjidhje dhe në fund për qytetarët nuk ndryshon asgjë”, u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike.

“Shqiptarëve duhet t’i mbyllim sa më shpejt tranzicionin e stërmundimshëm dhe të krijojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Parakushti për uljen në tryezë për Reformën Zgjedhore është largimi i Edi Ramës. Çfarë i ndodh Shqipërisë po iku Edi Rama? Klasa politike mund të përmirësohet vetëm duke u ndryshuar shpesh e më shpesh”, shtoi Salianji.

Top Channel