Në Maqedoninë e Veriut mbyllet këtë të premte fushata për zgjedhjet presidenciale, e nga mesnata nis heshtja zgjedhore.

Kandidati i përkrahur nga Aleanca e Shqiptarëve dhe “Besa”, Blerim Reka e përfundoi fushatën e tij me tubimin e një dite më parë në Tetovë, ndërsa ai LSDM-së dhe koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski e mbyll sot me mitingje në Strugë e Ohër.

Të shtunën, një ditë përpara zgjedhjeve, të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, 7 të shpërngulur brenda vendit, si dhe gati 3.600 të sëmurë e të moshuar, të cilët e kanë kërkuar këtë nga komisionet komunale zgjedhore.

  Emër i ri, probleme të vjetra. Maqedonia e Veriut voton për presidentin të dielën

Marrëveshja e Prespës, emri i ri i shtetit, anëtarësimi në NATO dhe në BE, zhvillimi ekonomik, raportet ndëretnike dhe politikat për rininë, ishin temat kyçe të fushatës presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Në paraqitjet para qytetarëve, Pendarovski e vuri theksin në mënyrë të veçantë te marrëdhëniet ndëretnike. Por, mbështetje nga etnitë e tjera kërkoi edhe Gordana Davkova, kandidatja e përkrahur nga opozita.

Për Blerim Rekën, në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë koncept për shtet e jo vetëm për shoqëri për të gjithë. Më 21 prill, qytetarët maqedonas do të votojnë për njërin nga 3 kandidatët për president, ndërsa më 5 maj është raundi i dytë i votimit, kur edhe zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Top Channel