Deputetet e PD-së bojkotojnë Ambasadën Amerikane. Leyla Moses-Ones: Bëhuni bashkë për Reformën Zgjedhore!

16/04/2019 13:28

Ish-deputetet e Partisë Demokratike bojkotojnë ftesën për të marrë pjesë në një aktivitet me gra palamentare, bashkëorganizuar nga Ambasada Amerikane, kjo mesa duket në shenjë kundërshtie për qëndrimet e përfaqësisë zyrtare të Uashingtonit në Tiranë, që kanë kundërshtuar veprimet e dhunshme në protesta, përfshi djegien e mandateve.

Megjithatë, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones tha se drejtuesit e Shqipërisë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, sikurse mund ta gjejnë gjuhën e përbashkët edhe për aspektet politike, siç është Reforma Zgjedhore.

“Drejtuesit politikë të Shqipërisë të bashkohen për ta çuar vendin përpara. Së bashku, për një kauzë të përbashkët. Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe bashkoheni në të mirë të publikut, do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Udhëheqësit shqiptarë që punojnë së bashku për të dhënë një shembull të shkëlqyeshëm për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe Reformë Zgjedhore”, tha Moses-Ones.

Të gjitha këto, theksoi numri dy i Ambasadës Amerikane, janë të mundshme me drejtues të mirë në krye dhe në një bashkim përpjekjesh.

Top Channel