Kënaqësia më e madhe për Xhovanën është të ulet pas timonit të FIAT-it të saj 500. Pasioni i saj për restaurimin e një prej makinave më të famshme në botë nisi kur ajo u ul për të parën herë në një prej tyre.

“I kisha parë nga jashtë ndërsa ecja nëpër romë dhe gjithnjë mendoja se ishin makina të këndshme, argëtuese. Por, kur unë hyra brenda njërës, mendova; kjo makinë është e jashtëzakonshme”, thotë Giovanna Parascandolo.

23-vjeçarja, nuk hezitonte të kërkonte për relikte të ndryshkura dhe aspak të sigurta dhe të mësonte vetë se si t’i riparonte ato dhe ti bënte si të reja. Iu deshën dy vite për të restauruar makinën e saj, që e bleu për 2 mijë euro.

“Në fillim, bëra një kërkim në internet. Bëra një pyetje në google përse një fiat 500 nuk ndizet. Ky ishte fillimi i një viti studim, në libra, forume, dhe mësova shumë duke çmontuar pjesët”, shprehet ajo.

Ky fiat 500 i 1968, është projekti i saj më i ri. Xhovana shpreson se do të mund ta shesë atë për 10 mijë euro, por para kësaj, duhet bërë shumë punë.

E diplomuar në arkitekturë, ajo ende nuk ka gjetur një mënyrë për të garantuar jetesën, përtej pasionit të saj, por shpreson që kjo do të jetë vetëm çështje kohe.

“Ka një krizë ekonomike, por unë mendoj se ne duhet të kërkojmë përtej kornizave, të rishpikim një punë, një të ardhme, në një botë që ka ndryshuar shumë”, shprehet ajo.

Ndërsa Fiat 500 mbetet dashuria e parë e saj, Xhovana, shumë shpejt do t’i përdorë aftësitë e saj edhe për mjete të tjera klasike.

Top Channel