Vitrina e librit/ City nga Alessandro Baricco, përkthyer nga Mimoza Hysa

18/02/2019 09:56

E bukur kurva e Closingtown-it, e bukur. Të zeza flokët e kurvës së Closingtown-it, të zeza. Dhjetëra libra, në dhomën e saj, në katin e parë të sallonit, i lexon kur rri e pret, histori me hapje e mbyllje, po e pyete t’i tregon. E re kurva e Closingtown-it, e re. Të fuste mes këmbëve dhe të pëshpëriste: i dashur. Shetsi thoshte se kushtonte sa katër birra. Etje për të, në pantallonat e gjithë qytetit.

Sipas Shetsit ishte e zonja. I thjeshtonte gjërat, dhe kishte libra që mund të kuptoheshin. Erdhi puna që u hyri në qejf edhe djelmoshave më të rritur, shkonin kur të mundnin, mësuesja ishte e bukur, dhe së fundmi mësonin të lexonin fjalitë e shkruara poshtë fotografive të banditëve, të varura në zyrën e sherifit. Ishin djelmosha të burrëruar, ata. Ajo gaboi që ndenji me njërin prej tyre, vetëm, në shkollën e boshatisur, një mbrëmje si të tjerat. E shtrëngoi pas vetes dhe bëri dashuri me gjithë shpirt. Më vonë, kur meseleja u morr vesh, burrat do ta kishin mbyllur, por gratë thanë se ajo ishte një kurvë, e jo një mësuese.

Të gjithë e dëshironin, po vetëm njëri e donte, dhe ky ishte Pat Kobhani. Ai rrinte aty poshtë, pinte birrë, dhe priste. Kur gjithçka mbaronte, ajo zbriste.

Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, Pat Kobhani. Jeshile sytë e kurvës së Closingtoën-it, jeshile.

Po deshe të kuptosh historinë e tyre – thoshte Shetsi – duhet të dish sesa plumba kishte pistoleta, asokohe. Gjashtë.

‘City’, Alessandro Baricco

Një roman atipik, me disa linja, shumë personazhe dhe pa një temë të përgjithshme. Për më tepër me një titull në gjuhën angleze, edhe pse është një libër i një shkrimtari të rëndësishëm në letërsinë italiane, Alessandro Baricco. ‘City’ vjen në gjuhën shqipe nga Mimoza Hysa, dhe si e thotë vetë titulli, romani është ndërtuar si një qytet, me shumë rrugë e rrugica, histori të rëndësishme apo kalimtare, me shumë personazhe e gjithësecili me një histori që i jep kuptim dhe vetë qytetit. Mimoza Hysa në bashkëbisedimin me Monika Stafën për rubrikën Vitrina e Librit thotë se, ky është një nga librat më eksperimentalë të autorit, i cili di të luajë e të shpërrallisë shumë bukur me fjalët, si një mundësi për të shoqëruar lexuesin, edhe nëse nuk ka një pikëmbërritje të përcaktuar. Ky libër, shton më tej ajo, ka filluar si një projekt on line, me një portal të hapur posaçërisht për ndërtimin e këtij romani. Duket si një roman ku mbisundon fragmentarja, e përkohshmja, histori të vogla, të pjesshme, të ndërprera, mendime dhe ide të hedhura aty-këtu që e fusin lexuesin në një botë të tijën dhe e bëjnë të mendojë për romanin edhe pasi e ka mbyllur librin. Ishte një nga romanet që u komentua  më shumë cilëson më tej ajo, u kritikua, u lëvdua, u përkthye në shumë gjuhë, dhe ku u shfaqën aftësitë e rralla të shkrimtarit për të ndërtuar histori. ‘City’ është cilësuar si një roman i rëndësishëm për edukimin e shijeve estetike. Së pari sepse vetë Baricco është një autor që ndërton mjeshtërisht histori dhe të jep kënaqësi estetike. Ndër të tjera ky është dhe një roman tepër interesant sidomos për shkrimtarët e rinj, që duan të mësojnë diçka më tepër për mënyrën sesi thuhen e rrëfehen historitë. Por nëse i kthehemi përmbajtjes dhe mesazheve që përcjell përmes historive, M. Hysa, përkthyesja e romanit shkon më tej kur thotë se theksi vihet në mënyrën sesi duhet të kujdesemi për edukimin e brezit të ri, mënyrën sesi duhet t’i ruajmë e të jemi të kujdesshëm me ta, të mos i lëndojmë, t’i mbrojmë e t’i drejtojmë drejt së ardhmes. Ka një sëri mendimesh e idesh mbi mënyrën sesi trajtohen fëmijët, si edukohen ata për të qenë të suksesshëm në jetë, jo të jenë të dobishëm, të jenë vetja dhe të duan jetën dhe tjetrin. Në romanin ‘City’ gjenden histori që ngulmojnë të nxjerrin vitytet e larta të njeriut si, miqësia, dashuria, besnikëria dhe familja. Në të gjitha historitë e përshkruara aty, jepen mesazhe të rëndësishme për mbrojtjen e të pamundurve, qofshin fëmijë apo të rritur, trajtimit që shoqëria duhet t’u bëjë atyre që janë më të dobët e më të pambrojtur. Apo histori që dënojnë globalizimin e shoqërisë së sotme dhe moralit fals, sistemit shkollor të mykur që nuk të përgatit për jetën e kështu me rradhë. Një roman ndoshta i cuditshëm në një moment të parëkur e lexon por gjithsesi është cilësuar tepër modern, në mënyren se si ai don ta bëjë për vete lexuesin.

Top Channel