4 operatorë të linjave ndërqytetase të vendosura në Gjirokastër dhe në Dropull janë duke kundërshtuar hyrjen në treg të operatorëve të rinj të licencuar prej Ministrisë së Transporteve për transportin e udhëtarëve në linjat Tiranë-Dropull-Tiranë dhe Gjirokastër-Dropull-Gjirokastër.

Dy operatorët që realizojnë transportin Tiranë-Gjirokastër-Tiranë janë konfliktuar pak ditë më parë me operatorin e ri, duke pretenduar se përplasja e orareve po i largon udhëtarët dhe po i çon drejt falimentit.

Ndërkaq, dy operatorët e Dropullit janë pezulluar pas ofrimit të këtij shërbimi pas një periudhe 20-vjeçare.

Prej një jave, shërbimin e transportit Dropull-Gjirokastër-Dropull po e kryen një kompani e re nga Vora, e cila ka fituar tenderin qershorin e kaluar. Operatorët i kanë ngritur këto pretendime në një takim me prefektin, ndërsa kanë paralajmëruar protesta.

Ndryshimi ka ardhur pas kalimit të kompetencave për licencim prej bashkive tek ministria. Që prej 1 Janarit të vitit 2017 bashkive nuk u lejohej licencimi i operatorëve të transportit, por Bashkia e Gjirokastrës dhe ajo e Dropullit i kanë rilicencuar këto subjekte për shkak se mungonte një operator për të kryer transportin.

Operatorët thonë se kanë kontrata me bashkinë për këtë shërbim deri në vitin 2022.

Top Channel