Nëse shikon ndonjë eveniment kalorsiak, mendja të shkon më së pari tek Anglia.

Por, mos e nënvlerësoni edhe Kinën, e cila krenohet me klubin e saj ekskluziv për kalorës dhe për gjuetinë e dhelprave. Klubi County Down, i cili e merr emrin nga një konte e Irlandës së Veriut, u themelua tre vjet më parë. Pronari Steven Sun thotë se ky sport ka marrë hov të madh në vend gjatë 10 viteve të fundit.

“Mendoj se është një ndryshim mentaliteti. Gjërat kanë evoluar shumë. Ndërkohë ne, në klubin tonë, kemi ca rregulla të forta për cilësinë e njerëzve që bëhen anëtarë të tij. Nuk dua në radhët tona pasanikë të rinj apo persona të një karakteri të dyshimtë”, thotë Sun.

Një numër gjithmonë e më i madh kinezësh po e kthen vëmendjen tek kalërimi dhe ekonomia në rritje e vendit, sot e dyta më e madhe pas asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i krijon njerëzve më shumë mundësi për të vënë në jetë dëshirat e tyre lidhur me aktivitetet e kohës së lirë.

County Doën ka aktualisht rreth 80 anëtarë, ndërsa shuma e paguar në vit është 58 000 juanë apo 8 400 dollarë. Jo çdokush mund të hyjë megjithatë dhe përzgjedhja bëhet me kujdes. Steven Sun tregon se gjërat po ecin mjaft mirë e ka krijuar madje lidhje të shumta edhe jashtë Kinës. Ai organizon gjueti dhelprash edhe për aristokracinë britanike e ka 4 gara me kuaj në Francë.

Top Channel