Prokurorja anti-terror e Francës u ka thënë gazetarëve se agresori i Strasburgut bërtiti “Allahu Akbar”, ndërsa hapi zjarr ndaj njerëzve në një treg të Krishtlindjeve.

I dyshuari kryesor, që sipas mediave lokale quhet Cherif Chekatt, është i njohur për autoritetet si dikush që u radikalizua në burg. 29-vjeçari kishte një armë dhe një thikë, dhe ka shkuar në zonën ku ka kryer krimet me një taksi, tha Heitz.

Agresori i është mburrur shoferit, i cili pasi ka folur me policinë u ka thënë forcave të rendit se Chekatt kishte vrarë 10 vetë në të shkuarën dhe se ishte plagosur dikur në një shkëmbim zjarri me ushtarë.

Katër persona të lidhur me të dyshuarin janë arrestuar gjatë natës së vrasjeve në Strasburg, shtoi Heitz. Burimet pranë hetimit të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, thanë se ishin nëna, babai dhe dy vëllezërit e të dyshuarit.

Qindra oficerë janë të përfshirë aktualisht në kërkim të personit të armatosur. Zëvendësministri i Brendshëm Laurent Nuñez më herët e pranoi se ai nuk mund të ishte më në Francë. Strasburgu është afër kufirit me Gjermaninë.

Ministri i Brendshëm Christophe Castaner tha se vendi ka kaluar në nivelin më të lartë të gatishmërisë, duke zgjeruar kompetencat e policisë dhe duke rritur vigjilencën. Ai shtoi se kontrollet kufitare ishin forcuar dhe siguria në të gjitha tregjet e Krishtlindjeve do të rritet.

Kryebashkiaku i Strasburgut, Roland Ries, ka thënë se tregu i Krishtlindjeve do të qëndrojë i mbyllur edhe të enjten, me flamurin e ulur në gjysëm shtizë në sallën e bashkisë lokale.

Top Channel