Pas votimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të prokurorëve të kësaj të marte, prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku zgjodhi gjithashtu të mbante një fjalë përmbyllëse, pas mesazhit të shpërndarë një ditë më parë.

Marku ka theksuar ndër të tjera se të gjithë bashkë duhet të ndihen krenarë për krijimin e institucionit të parë të drejtësisë së re, duke hedhur kështu një gur themeli për të gjithë sistemin e drejtësisë me votën e vet prokurorëve.

“Të gjithë bashkë dëshmuam se jemi të përgjegjshëm. Treguam se ne mundemi t’ia dalim edhe kur të gjithë janë skeptikë ndaj nesh. Treguam se jemi një model që duhet ndjekur. Ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen dhe qytetarinë e treguar gjatë të gjithë procesit!”, iu drejtohet kolegëve të saj kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku.

  Arta Marku, mesazh prokurorëve para Asamblesë së Përgjithshme

Ajo falënderon gjithashtu për mbështetjen e pakushtëzuar gjatë të gjithë procesit të partnerëve ndërkombëtarë, OPDAT dhe EURALIUS.

“Mbështetja e tyre ka qenë motivim për ne. Një falenderim të veçantë, në emër të të gjithë prokurorëve, edhe për përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe ministres së Drejtësisë, të cilët na nderuan me praninë dhe fjalët inkurajuese gjatë pjesës së parë të procesit”, tha Marku.

Prokurorët kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ajo i quajti të gjithë në lartësinë e detyrës dhe të denjë për garën që bënë, ndërkohë që iu uroi suksese kandidatëve që u shpallën fitues. “Prokurorët ia dolën!”, tha në fund Arta Marku.

Top Channel