Në Shkodër dhe Kavajë pasditen e kësaj të hëne u zhvilluan protesta për çmimin e lartë të naftës.

E para filloi prej orës 16:00 nga banorët e fshatit Kosmaç, të cilët bllokuan rrugën Shkodër-Lezhë. Protesta e dytë u zhvillua në hyrje të qytetit të Shkodrës, ku një grup qytetarësh bllokuan rrugën me thirrje kundër qeverisë.

Protestës iu bashkuan dhe banorët e zonave të përmbytura që ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet.

Por, përveç Shkodrës, një tjetër protestë me të njëjtën kërkesë u zhvillua në Kavajë. Protestuesit në Kavajë, ndryshe nga ata në Shkodër, kishin të veshur jelekë portokalli dhe jo të verdhë si protestuesit francezë. Protestuesve në Kavajë u është bashkuar edhe shoqata e biznesit, e cila ka drejtuar kërkesa ekonomike ndaj qeverisë. Ata kërkojnë të ndalet projekti korruptiv i zëvendësimit të kasave fiskale, të ulet çmimi i energjisë elektrike me 30%, të ulet çmimi i karburantit me 300 lekë për litër dhe të rritet pragu i TVSH-së për biznesin e vogël dhe të mesëm nga 20 milionë lekë në vit, që është sot në 120 milionë lekë.

Madje, përfaqësuesit e protestuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm thonë se 4 pikat janë të panegociueshme.

Ndërkohë, vetë kryeministri Edi Rama ka reaguar në Tëitter, duke u kujtuar protestuesve se nuk punojnë shoferë apo fermerë: “Interesant. Punonjësit e Bashkisë së Lezhës protestojnë si fermerë, të Bashkisë Shkodër, si shoferë dhe të Bashkisë Kavajë si francezë. Studentët s’duhet të dialogojnë, por duhen mbajtur peng me çdo kusht, që të përdoren si qendër graviteti e revolucionit të Lulit dhe Monikës. Jo politikë”.

Nga protestat në të dy bashkitë e vendit pati probleme me trafikun, që qëndroi i bllokuar deri në përfundim të protestave.

Top Channel