“Brexit”, Tusk thërret samitin e BE-së të enjten, por: S’ka rinegociim!

10/12/2018 19:51
Foto ilustruese nga takimi i krerëve të G20-s në Buenos Aires të Argjentinës

Presidenti i Këshillit Europian njoftoi këtë të hënë se do të thërrasë një takim të udhëheqësve të BE-së për të diskutuar mbi “Brexit”-in, por paralajmëroi se nuk ka asnjë mundësi që të rinegociohet marrëveshja e tërheqjes së ishullit mbretëror nga blloku.

Pasi kryeministrja britanike Theresa May shtyu për më vonë votimin në Parlament për të aprovuar marrëveshjen e arritur prej negociatorëve të saj, shefi i BE-së, Donald Tusk tha se krerët e shteteve anëtare do të mund ta takohen të enjten.

  Mungesa e votave, kryeministrja britanike tërhiqet nga plani i saj për Brexit

“Ne nuk do ta rinegociojmë marrëveshjen, përfshi këtu edhe mbështetjen, por jemi të gatshëm të diskutojmë sesi do të mund ta lehtësojmë ratifikimin e saj në Parlamentin britanik”, shkruajti ai. “Ndërkohë që koha po ikën, ne do të diskutojmë gjithashtu edhe gatishmërinë tonë për një skenar pa marrëveshje”.

  “Britania mund ta tërheqë Brexit-in në mënyrë të njëanshme”

Një zëdhënës i Tuskut tha se agjenda e takimit, që pritet të dalë në ditën e parë të samitit të planifikuar të Këshillit Europian, nuk është përcaktuar ende.

  “Brexit”, kreu i Laburistëve prezanton planin alternativ: Na jepni një mundësi!

“Bazuar në vendimin e kryeministres May për të shtyrë votimin, presidenti Tusk vendosi të thërrasë Këshillin Europian, bazuar në nenin 50, ditën e enjte”, tha zëdhënësi. “Nuk ka për të pasur rinegociim të marrëveshjes së 25 nëntorit, por 27 vendet anëtare janë të gatshme të diskutojnë mënyrat sesi të arrihet te ratifikimi i saj”, shtoi më tej ai.

Në fund, zëdhënësi tha se BE-ja mbetet në kontakt me Britaninë e Madhe sesi do të procedohet më tej, duke shtuar e Tusk po konsultohet me 27 krerët e tjerë të shtetëve anëtare.

Top Channel