Librat dhe tekstet të marra nga jashtë dhe të përkthyera për shkollat shqiptare, ishin një tjetër problem që Top Story solli.

Tekstet shkencore si matematika, dituria e natyrës, kimia, biologjia, fizika, etj. do të merreshin vetëm nga shtëpi botuese angleze. Ato që do të hartoheshin në vend, do të ishin lëndët shoqërore si abetarja, gjuha shqipe, historia, etj.

Et’hem Ruka, i intervistuar nga Top Story, thotë që këto tekste janë shkruar për një shoqëri që është shumë më e zhvilluar sesa e jona.

“U përzgjodhën shtëpitë botuese më të mira britanike, por me një rezervë që këto tekste janë shkruar për një shoqëri që është shumë më e zhvilluar se e jona. Për një shoqëri që ka një kulturë tjetër. Për një shoqëri që ka një formim tjetër. Për një shoqëri që ka një teknologji tjetër”, thotë për Top Story Et’hem Ruka.

Ky është problemi i parë që ka lindur me librat që ne kemi marrë nga Anglia.
Top Story pasqyroi me detaje disa raste konkrete dhe ngërçin e krijuar sot në arsim nëpërmjet përkthimit të librave të huaj.
Imagjinoni një fëmijë që nga kopshti shkon në klasën e parë. Kopshti, si sistem parashkollor në Shqipëri, nuk i ka programet të njëjta me sistemin parshkollor në Angli.

Ky është një fakt që shteti shqiptar nuk e ka marrë parasysh. Librat e klasës së parë që vijnë nga Anglia, janë vazhdimësi e sistemit parashkollor anglez dhe nuk përputhen aspak me çfarë mësojnë fëmijët shqiptarë në kopshte.

“Kur një nxënës vjen pa njohur shkronjat, pa ditur të lexojë, pa njohur shkronjat e mëdha dhe të vogla të shtypit, për fëmijën është një stërmundim shumë i madh, ndonjëherë edhe zhgënjim se e konsideron shkollën shumë të vështirë”, tha për Top Story Et’hem Ruka.

Përveç kësaj, shkollat shqiptare nuk e kanë infrastrukturën e nevojshme për të zbatuar në praktikë librat anglezë.
“Po marrim reaksionet kimike. Ai thotë reaktantë dhe produkte. Ky është një reaksion. Nxënësi nëse nuk e zhvillon reaksionin, nuk e dallon dot reaktantin nga produkti”, thotë mësuesi Durim Ismaili.

“Në një tekst të Diturisë së Natyrës shkruhet për fërkimin. Është marrë një shembull duke fërkuar pantallonat. Duhet një sensor optik. Mësuesit këtu nuk kanë parë ndonjëherë sensor optik”, shtoi Et’hem Ruka.

Top Channel