Fabiani ka 5 vite që tymos hashash. Bimën narkotike e ka nisur në moshë minorene dhe prej asaj dite, në xhepin e tij apo të shokëve kishte gjithmonë një cigare hashash.

Madje, e gjenin lehtësisht nëpërmjet njeri-tjetrit, ndonëse ishin ende adoleshentë: “Në moshën 15-vjeçare. Ateherë ka qenë një moshë që njeriu ka kuriozitet shumë, është moshë adoleshente. Jam shtyrë se kam parë dhe isha kurioz ta provoja. Kisha shokë, nuk është se e konsumoja vetëm”.

Sot, në moshën 20-vjeçare, Fabiani ka vendosur të mos jetë më i varur nga hashashi. Këtë vit ka përfunduar një kurs professional dhe së shpejti dëshiron të vetëpunësohet.

“Unë kam konsumuar aq shumë, sa që është një moshë që njeriu duhet të kuptojë diçka nga jeta, duhet të fillojë një punë, të ketë një të ardhme”, shprehet Fabiani.

Fabiani nuk është i vetëm. Në Shqipëri gjen lehtësisht adoleshentë që konsumojnë bimë narkotike, madje edhe në ambientet e shkollave. Sipas psikologëve, ky fenomen tashmë është prezent. Shkaqet kryesore mbeten veprimet e nxituara të moshës, por edhe mungesa e kontrollit të duhur nga ana e prindërve ndaj fëmijëve.

“Çdo individ e ka shumë të vështirë të shkeputet nga varësia e substancave sepse ato ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Largimi nga kjo varësi është fakti që duhet të ketë një vullnet shumë të madh individi. Nëse ai do të dojë të largohet, do të kërkojë dhe mënyrën, do të gjejë dhe mënyrën dhe do t’ ia dali”, thotë psikologia.

Top Channel