Ndryshimet klimaterike, presidenti i Kryqit të Kuq: Një pjesë e dhunës është e lidhur me to

21/10/2018 21:32

Ndryshimet e klimës po shtojnë konfliktet nëpër botë, thotë presidenti i Kryqit të Kuq, Peter Maurer.

Është e qartë se një pjesë e dhunës që dëshmojnë sot lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ndryshimet klimaterike, u shpreh i bindur ai për “The Guardian”.

Argumentet që ofron, bazohen tek logjika dhe shifrat. Maurer flet për një ndryshim të sistemit të reshjeve, të cilat kanë ndikuar mbi pjellorinë e tokës duke detyruar zhvendosjen e popullatave, edhe pse mund të kishin qëndruar në një vend për shekuj të tërë.

Kur kemi spostime të tilla masive njerëzish, arsyeton ai, kjo shkakton në mënyrë të pashmangshme tensione mes komuniteteve të shpërngulura e atyre lokale. E kemi parë të shquhet qartë një fenomen i tillë sidomos në Afrikën Qendrore, në vende si Mali apo zona të tjera, vazhdon Maurer.

Numri i të zhvendosurve, sipas shefit të Kryqit të Kuq, është sot më i madh se kurrë më parë, duke iu afruar 70 milionëshit në mbarë globin. Dy të tretat e këtyre njerëzve janë shpërngulur brenda kufijve, ndërsa pjesa dërrmuese e personave që kanë emigruar jashtë, kanë synuar të vendosen në një shtet fqinj.

Një studim i vitit 2016, i cili merrte në shqyrtim të dhënat e tre dekadave të fundit, doli në përfundimin se rritja e temperaturës mesatare me 1 gradë celsius në një vend të mbështetur tek bujqësia lidhej me rritjen e emigracionit në vende të tjera në masën 5 %.

Top Channel