Zhdukja e gazetarit, Pompeo në Rijad e Ankara. Arabia mund të pranojë vrasjen e tij

16/10/2018 10:05

Çështja e gazetarit të zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, çoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Rijad.

Shefi i diplomacisë amerikane është takuar me Mbretin Salman, në mesin e polemikave mbi fatin e reporterit të zhdukur, që nga momenti kur hyri në Konsullaten saudite në Stamboll.

Pompeo do të udhëtojë pas kësaj drejt Turqisë, zyrtarët e së cilës besojnë se Khashoggi u vra nga agjentët sauditë.

Deri më tani, Rijadi e ka mohuar një gjë të tillë, por ka disa raporte në media, sipas të cilave Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se Khashoggi është vrarë.

Dy medie amerikane citojnë burime të pohojnë se vdekja e gazetarit erdhi për shkak të një operacioni për marrjen e tij në pyetje, që shkoi keq. Sipas CNN-it, personat që qëndrojnë pas kësaj lëvizjeje mund të kenë menduar ta rrëmbenin Khashoggin nga Konsullata saudite në Stamboll, e ta çonin atë në Arabinë Saudite për ta marrë në pyetje.

Cili është shfajësimi i qeverisë saudite në këtë rast? Sipas burimeve, në raportin që ajo po përgatitet të publikojë pritet të nënvizohet se operacioni që çoi në vdekjen e Khashoggit u ndërmor pa lejen e zyrtarëve dhe se ata që qëndrojnë pas vdekjes së tij do të konsiderohen përgjegjës.

Të hënën, edhe presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se gazetari saudit mund të ketë qenë viktimë e vrasësve që ishin jashtë kontrollit.

Top Channel