Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Lushnjes mbrëmjen e së martës.

Një person ka mbetur i vrarë përpara banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shegas, rreth orës 21:30, ku viktima është 48-vjeçari Qemal Alla, ish-kryeplak i fshatit. Sipas policisë, 48-vjeçari është qëlluar me armë zjarri në momentin kur ka zbritur nga makina e tij për të hapur portën e shtëpisë. Po sipas policisë, dyshohet se ndaj Allës është qëlluar vetëm me një plumb, i cili i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Sipas banorëve dhe të afërmve, 48-vjeçari jetonte vetëm me bashkëshorten e tij, ndërsa një djalë që kanë jeton në Greqi me familjen. Banorët thonë se përpara ngjarjes, Qemal Alla ishte në lokalin e fshatit, të cilin e kanë vëllezërit e tij, ku pasi ka pirë kafenë, është nisur drejt banesës së tij. Ata thonë se dëgjuan vetëm një krismë.

Banorët janë të shokuar nga kjo ngjarje, pasi 48-vjeçari ishte njeri i qetë dhe jo problematik. Ai merrej me bujqësi dhe administronte liqenin e fshatit Shegas.

Nga hetimet e para dyshohet se autori ka qenë i fshehur mirë dhe e ka qëlluar në befasi 48-vjeçarin. Pas ngjarjes, autori është larguar pa u vënë re nga askush, i ndihmuar edhe nga errësira.

Policia po kërkon në vendngjarje gëzhojën që është shkrepur nga pistoleta. Deri tani, asnjë pistë nuk ka se cili ka qenë shkaku i vrasjes.

Top Channel