E ftuar këtë të mërkurë në “Top Talk” ka qenë deputetja e PS, Elisa Spiropali, e cila foli edhe për vettingun në politikë.

Denis Dyrnjaja: Në rrjedhojë të hetimeve për “Babalet”, PD mbështet edhe nismën e saj për vettingun në politikë, të cilën – sipas demokratëve, – qeveria nuk po e mbështet. A është qeveria e kompleksuar nga fakti që mund të bëhet vettingu në politikë?

Spiropali: Ky është një gur tjetër në lumin e propozimeve qesharake të opozitës. Ne kemi Reformën në Drejtësi që është duke ndodhur dhe që është nga më radikalet në rajon, sa i përket ndarjes përfundimtare të politikës nga drejtësia. Ajo po i jep efektet një më një dhe kjo ka krijuar problem. Kemi gjykatës e prokurorë që po dalin nga sistemi. Deri në fund të dhjetor është parashikuar ngritja e institucioneve të KLGJ-së dhe KLP-së, e më pas SPAK-u dhe BKH-ja. Problemi i pandëshkueshmërisë në politikë ka qenë fakti që politika e kontrollonte dhe e kishte nën thundër drejtësinë. Për herë të parë kemi ndarjen e drejtësisë nga politika. Çështjen e vettingut në politikë ne e kemi çuar në Komisionin e Venecias për opinion, por ju them se nuk ka asnjë vend në botë ku politikanët të vetëgjykohen apo vetëpërjashtohen. Vettingun duhet ta bëjnë institucionet, që politikanët e lidhur me krimin apo ata të korruptuarit i çojnë në burg, e jo të ngrejnë komisione të rreme mes tyre ku të vetëgjykohen, e disa të ikin, të tjerë të rrinë sipas nevojave të kryetarëve të partive politike.

Denis Dyrnjaja: Vettingu në politikë ndërkohë është një nga pikat kyçe që opozita vendos për Reformën Zgjedhore, e për rrjedhojë edhe pjesëmarrjen në zgjedhje. Pa vettingun në politikë, Partia Demokratike thotë që nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri.

Spiropali: PD mund të vendosë edhe shkuarjen në Hënë si kriter për kthimin në Parlament. Është detyrë e saj kushtetuese që të kthehet, së pari në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ne patëm një takim të frytshëm dje, me shumë pjesëmarrës por pa PD-në dhe LSI-në, për depolitizimin total të adminitratës dhe administruesve zgjedhorë. Një reformë historike kjo, që është kërkuar vazhdimisht, por që ne ende komisionet i kemi politike. Tani që ka ardhur koha ta depolitizojmë sistemin, PD nuk ulet në tryezë. E ka ndarë mendjen ta bojkotojë Kuvendin dhe do të bojkotojë pjesëmarrjen në forume të tilla, e patjetër që arsyet që opozita gjen do të jenë të shumëllojshme. Por nuk mund të jetë arsyeja e mosarsyes, inskenimet në zyrat e tyre. Kjo është e papranueshme.

Kthimi i politikës në një arenë të tillë baltosjeje nuk ishte dëgjuar sipas saj. Spiropali përmendi edhe rastin e Fushë Krujës, kur tha se komisari as nuk ka qenë i pranishëm, por e ka bërë për të fituar azil. Më tej ajo ftoi Bashën të shkojë në gjyq e të përgjigjet për akuzat që ka bërë.

Spiropali: Ndërkombëtarët janë të besueshëm se blihen, PS dhe qeveria është e inkriminuar, sikurse Prokuroria apo shteti i gjithi është i kalbur. Vetëm PD, që nga zgjedhja në zgjedhje humbet nga 240 mijë vota është e besueshme? Opozita është në të drejtën e saj të denoncojë, sikurse në të drejtën e saj legjitime për t’u vetërrënuar. Por ne urojmë që opozita të kthehet në binarët e arsyes dhe ligjshmërisë, të vijë në Kuvend e të diskutojë, përndryshe do të jetë fatalitet për të. Sa na përket neve, në qershor ne duhet të bëjmë zgjedhje, të kemi bërë një reformë të përbashkët dhe ua kemi dhënë mundësinë dhe jemi të hapur për çdolloj ndryshimi tjetër. Nëse opozita nuk futet në zgjedhje pa vettingun e politikës? Nuk duhet ta kenë këtë merak, sepse politika do të vetohet deri në fund. Problemi i tyre ndoshta është krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë. E kanë detyrim ligjor, sepse e kanë votuar vet në Kuvend, që të vijnë edhe të votojnë ligjin për magjistratët dhe ligjet e tjera për ngritjen e organeve të drejtësisë. Por, ju e dini se ç’po ndodh. Opozita po kërkon të rinegociojë Reformën në Drejtësi. Kjo është e pamundur

Top Channel