Vazhdon përplasja për “Teatrin”, PS: Do bëhet garë. PD kundër prishjes së ndërtesës

12/09/2018 20:01

Në segmentin e oborrit të Kuvendit dikur parakalonte Ilir Meta, atëherë kryetar i institucionit. Në mungesë të protagonizmit të Gramoz Rucit, skenën e mori Eduard Shalsi, që pohoi se mazhoranca do ta ndryshojë ligjin për Teatrin duke hapur garën, por nuk e ka me qejf t’i japë të drejtë Metës, tashmë President, duke i pranuar dekretin që ktheu ligjin. Për këtë është menduar një formulë e posaçme.

“Nuk është rasti i parë ku dekretet e Presidentit amendohen. Në praktikën parlamentare nëse në argumentet ka një pikë që qëndron, ju e dini që aty janë shumë pika që ne nuk biem dakord. Tashmë kemi konsoliduar bindjen që, po, do t’i japim mundësi jo më një subjekti, por cilitdo subjekt që është i interesuar”, u shpreh Eduard Shalsi.

Shalsi pranoi se përcaktimi i kompanisë pa garë ishte një kritikë që qëndronte edhe më parë, ndërsa shpjegoi përse nuk u mor në konsideratë që në fillim.

“Në kuadër të një debati aspak cilësor ndonjë argument që qëndronte nuk u mor në konsideratë, edhe për një arsye, sepse propozuesi ka në zotërim një pronësi, ka edhe disa marrëveshje të lidhura”, tha Shalsi.

Pavarësisht ndryshimit të ligjit, PD njoftoi votën kundër.

“PD është kundër çdo ligji që shkatërron apo shemb Teatrin”, u shpreh Albana Vokshi.

Nga ekrani i Top Channel, Jorida Tabaku, tha se qëndrimi i Komisionit Europian nuk i jepte të drejtë Qeverisë.

“I sugjeroj qeverisë që për çështje të konkurrueshmërisë, projektligji special “Fusha” që ju keni sjellë në Parlament shkel me të dyja këmbët kushtet e garës së lirë, garës së hapur, të cilat janë të parashikuara në nenin 73, 74 dhe 75 të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, u shpreh Tabaku.

N/kryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave shpjegoi se pavarësisht hapjes së garës, ligji për Teatrin ka probleme të tjera.

“Do të përfundojë gara, do ta fitojë po kjo kompani, çfarë do të ndodhë nesër. Kjo nuk i zgjidh as kushtet e konfliktit të interesit, as faktin që nuk ka kaluar në këshillin bashkiak dhe prona shtetërore, lokale e bashkisë së Tiranës duhet patjetër të tjetërsohet dhe të kalohet me një vendim të këshillit bashkiak

Dekreti presidencial që sugjeron ndryshimin e ligjit pritet të nisë diskutimin në Kuvend javën e ardhshme.

Top Channel