Një tërmet i fortë me magnitudë 5.1 sipas shkallës Rihter është regjistruar këtë të premte në orën 9:12, 34 km në jug-jugperëndim të zonës së Trikalës, me një thellësi prej 10 km, sipas Qendrës Sizmologjike Europiano-Mesdhetare dhe Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës.

Deri më tani janë regjistruar rrëshqitje dherash në rrugët rurale të zonës, sipas medieve greke. Epiqendra ishte në perëndim të Mouzakit, ndërsa lëkundja u ndie në një perimetër më të gjerë deri në ishujt e Jonit, në Lamia, në Kefaloni dhe Katerini. Edhe pse ishte 240 km në veriperëndim të Athinës, sizma u ndie edhe në kryeqytetin helen, sikurse edhe në Shqipëri.

Gjithsesi, nuk ka ende informacione për njerëz të lënduar, apo dëme të konsideruara serioze prej lëkundjes së mëngjesit të sotëm.

“Tërmeti zgjati thuajse 6-7 sekonda, por në qytezën tonë nuk ka panik. Bashkia është mobilizuar për gjithçka”, tha Thomas Papasikas, sekretar i Bashkisë së Trikkaionit.

Top Channel