Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai iranian, Hassan Rouhani, kanë shkëmbyer kërcënime në mesin e tensioneve në rritje mes dy vendeve.

Në një postim në Twitter, Trump tha se Irani do të vuajë pasoja si ato që nuk ka parë asnjëherë në histori nëse kërcënon SHBA.

Rouhani më herët kish thënë se lufta me Iranin do të ishte nëna e të gjitha luftërave. Në maj, SHBA doli nga një marrëveshje që reduktonte aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Uashingtoni tani do të rivendosë sanksionet, pavarësisht kundërshtive nga Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania, që kanë nënshkruar marrëveshjen e 2015.

Në një zhvillim të ndarë të dielën, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tha se regjimi iranian i ngjason më shumë mafias se sa një qeverie.

Duke folur para një grupi iraniano-amerikanësh në Kaliforni, Pompeo denoncoi Rouhanin dhe ministrin e jashtëm, Javad Zarif, që negociuan marrëveshjen bërthamore.

Pompeo tha se ai do të përpiqej të pengonte vendet që të importojnë nga Irani naftë, që nga nëntori, si pjesë e presionit mbi Teheranin.

Në maj, Trump u tërhoq nga marrëveshja duke e quajtur atë të tmerrshme.

Ai aludoi se marrëveshja nuk kufizonte aktivitetet destabilizuese të Iranit në të gjithë rajonin. Irani insiston se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor dhe respektimi i marrëveshjes është verifikuar nga agjencia ndërkombëtare e energjisë bërthamore, që ka thënë se Irani po respekton angazhimet e tij.

Top Channel