Hahn jep detyrat e negociatave: Duhen ekspertë për integrimin në çdo dikaster

17/07/2018 19:49

Johannes Hahn erdhi në Tiranë për të nisur punën përgatitore që i paraprin hapjes formale të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në tryezën e përbashkët mes ekipit qeveritar shqiptar dhe atij të Komisionit Europian, Kryeministri Rama bëri publik edhe emrat e dy personave kyç që do të ndjekin procesin e negociatave mes Tiranës dhe Brukselit.

“Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme…. qeveria do të ketë koordinator teknik zv/ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Rama.

Eurokomisioneri për Zgjerimin nguli këmbë disa herë se Shqipërisë do t’i duhet një rrjet i tërë ekspertësh të vendosur në të gjitha dikasteret e linjës.

“Po hyjmë në një fazë të re që do të jetë mjaft kërkuese. Do të jetë thelbësore që të caktohen burime të mjaftueshme në personel dhe buxhetore nga ana juaj. Në çdo ministri të linjës do t’ju duhet një personel i mjaftueshëm e me përvojë që do të negociojë me ne sepse nuk është diçka që mund t’ja lini vetëm Ministrisë së Jashtme apo Kryeministrisë. Është e nevojshme që të keni njerëz me njohuri në të gjitha ministritë pasi do të negocioni jo vetëm me ne drejtorët e përgjithshëm, por me drejtoritë e specializuara të Komisionit”, u shpreh Johannes Hahn.

Ndonëse Hahn nënvizoi se muajt në vijim do të jenë shumë impenjativë, Rama nuk e fshehu optimizmin se vendi mund t’ia dalë, por gjithsesi kërkoi bashkëpunim nga opozita.

“Shumë shpejt do të paraqesim një platformë propozimesh për bashkëpunim me opozitën, do kërkojmë angazhimin e opozitës pa kërkuar dhe pa pretenduar asnjë çast që opozita të lërë menjanë betejën e saj politike, në të drejtën e saj, por duke pretenduar që në këtë proces Shqipëria të jetë e para dhe pastaj interesat e partive dhe dinamikat e betejave politike të vijnë më pas”, tha Rama.

Vijimi i reformave mbetet kyç, ndërsa zbatimi i asaj në drejtësi është përgjegjësi edhe opozitës theksoi Hahn, që kërkoi nga pakica parlamentare zhbllokimin e Shkollës së Magjistraturës.

“Parlamenti duhet të amendojë ligjin për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës të rrisë nr e studentëve qe prej këtij viti. Është shumë e rëndësishme që edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij të Gjyqësorit të emërohen. Është përgjegjësi e përbashkët e Qeverisë dhe e Opozitës që të zbatohet shpejt reforma në drejtësi. Do të ishte e çuditshme që si rezultat i një procesi të suksesshëm Vettingu, të haseni me një situatë ku të mos keni gjyqtarë kompetentë. Kështu që do të doja t’u bëja thirrje të gjitha palëve politike – sepse ju duhet shumicë e cilësuar në Parlament për të vendosur lidhur me këtë”, u shpreh Hahn.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Komisioneri takoi edhe Presidentin Meta. Kreu i Shtetit është shprehur se gjithëpërfshirja dhe besushmëria janë elementë kyç për ecurinë e suksesshme të reformave.

Top Channel