Përballë vlonjatëve, Edi Rama konfirmoi se në muajt në vijim pritet të fillojë puna për ndërtimin e aeroporti i Vlorës. Kryeministri tregoi se po negocion që të ketë tarifa jo vetëm më të favorshme se Rinasi por më të ulëtat në rajon.

“Aeroporti do jetë konkurrues me rinisin. Nga pikëpamja e çmimeve shumë më i favorshëm. Kemi kërkuar dhe jemi drejt përfundimit të negociatave, që ta kemi me tarifat më të ulëta në rajon”, tha Rama.

Vetë aeroporti, sipas Ramës ka nevojë për 1000 forca pune, por impakti në punësim që do të sjellë për zonën është disa herë më i lartë.

“Nëse 1000 vende i kërkon direkt aeroporti, vlerësohet se për shkak të aeroportit rritja e punësimit është 1me 27. Pra 27 mijë vende pune në 4-5 vitet e ardhshme është përllogaritja më minimale”, vijoi kryeministri.

Duke folur për projektet në favor të Qarkut, Rama u ndal jo vetëm te bypass-et e Fierit dhe Vlorës por edhe te rruga e Lumit.

“Në fillim të vjeshtës do fillojë puna për të mos u ndalur deri në fund. Bypasset e Vlorës dhe Fierit, në shtator nis puna për të dy”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, në 4 vitet e fundit janë investuar 130 milionë dollarë në zonën e Vlorës, ndërkohë që janë 57 projektet që do të financohet nga buxheti i shtetit për periudhën 2018-2020.
Edhe në Vlorë, Kryeministri u prit me protesta nga një grup aktivistësh të opozitës. Së bashku me deputeten demokrate Nada Meçorapaj, ata kanë kërkuar që të hyjnë në ambientet e Pallatit të Sportit ku zhvillohej aktiviteti i Ramës, por nuk janë lejuar nga Policia.

Top Channel