Ukrainë, ekzekutohet gazetari rus, kritik i Kremlinit

30/05/2018 05:48

Gazetari rus Arkady Babchenko, një kritik i hapur i veprimeve të Moskës në Ukrainë e Siri, është qëlluar për vdekje në afërsi të banesës së tij në Kiev.

E shoqja e gjeti 41-vjeçarin të përgjakur në hyrjen e bllokut të pallateve ku ata jetonin.

Babchenko vdiq në autoambulancë, pa mbërritur dot në spital. Ai kishte dalë të blinte bukë, e në kthim vrasësi kishte qenë duke e pritur.

Pas shkrimeve të bëra mbi rrëzimin e një avioni ushtarak rus në vitin 2016, gazetari kishte marrë disa kërcënime me vdekje, të cilat e detyruan të largohej nga vendi i lindjes.

Fillimisht, ai u zhvendos në Pragë, e më pas në kryeqytetin e Ukrainës, ku vazhdoi të shfaqej si kritik i ashpër i Kremlinit.

Ish-korrespondenti i luftës punonte si folës në stacionin televiziv ukrainas, “ATR TV”. 41-vjeçari është qëlluar disa herë me armë zjarri pas shpine. Sipas zyrtarëve të policisë ukrainase, Babchenko është ekzekutuar për shkak të aktivitetit të tij profesional.

Top Channel