Masat e policisë së shtetit për protestën e opozitës nisën që në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Në rrugët kryesore të kryeqytetit u paralizua qarkullimi i automjeteve.

Më shumë se 1500 efektivë, përfshirë edhe disa reparte të forcave speciale qëndruan në gatishmëri për disa orë…Incidentet e para u shënuan pas fjalimit të liderit demokrat Lulzim Basha pranë kryeministrisë.

Por në skenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë dolën vetëm në momentin kur një pjesë e protestuesve u stacionuan pranë ministrisë së Brendshme.

Konfrontimi fizik ndodhi në sy të disa diplomatëve të huaj, përfshirë edhe ekspertë të misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit.

Në këtë situatë që zgjati rreth 40 minuta, mbeti i lënduar kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Blendi Kasmi i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spital.

Për qetësimin e protestuesve dhe largimin e tyre u desh që protestës t’i rikthehej sërish kryeopozitari Basha i cili tërhoqi qytetarët.

Nga konfrontimi duket se ka patur edhe policë të lënduar gjatë përplasjes që ndodhi pranë Ministrisë së Brendshme. Protestuesit qëlluan me gurë dhe sende të forta ndaj tyre.

Top Channel